Meloni: Emigrimi nuk do të zgjidhë krizën demografike

Emigrimi nuk është zgjidhja për krizën demografike të kontinentit, deklaroi kryeministrja italiane Giorgia Meloni teksa situata në Lampeduza vijon të jetë kritike. Meloni iu drejtua një takimi të nivelit të lartë mbi demografinë në Budapest të organizuar nga kryeministri hungarez nacionalist i krahut të djathtë Viktor Orban, një aleat politik prej kohësh.

“Shpesh argumentohet se emigrimi do të kontribuojë në rritjen e popullsisë sonë. Unë nuk jam dakord me këtë. Jam e bindur se kombet e mëdha duhet të marrin përgjegjësinë për ndërtimin e së ardhmes së tyre. Emigrantët, nëse janë plotësisht të integruar, ata mund të japin një kontribut, por ne duhet të jemi më të përgjegjshëm për veten tonë, si qytetarë europianë. Ne jetojmë në një epokë në të cilën çdo gjë që na përcakton është nën sulm. Është e rrezikshme për identitetin tonë, identitetin tonë kombëtar, familjar, fetar. Është gjithashtu ajo që na bën të ndërgjegjshëm të të drejtave tona dhe të aftë për t’i mbrojtur ato të drejta.

Ndërkaq Orban, në rrjetet sociale u shpreh se Italia dhe Hungaria po udhëheqin rrugën në zhvendosjen e politikës së BE-së drejt së djathtës. “Ne kemi nevojë për më shumë qeveri konservatore në Evropë për të bërë një ndryshim në Bruksel,” shprehet Orban. Në një deklaratë, qeveria italiane tha se Meloni dhe Orban ranë dakord për nevojën për veprim të shpejtë dhe të vendosur për emigracionin dhe i bënë thirrje Bashkimit Evropian që të japë një përgjigje kolektive.

Koalicioni i Melonit, i cili erdhi në pushtet tetorin e kaluar, ka mbajtur një qëndrim shumë të ashpër ndaj emigracionit të paligjshëm, duke marrë masa të ashpra të cilat janë cilësuar nga grupet e të drejtave të njeriut si jo njerëzore. Ishulli i vogël italian Lampeduza ka parë ditët e fundit një rritje të emigrantëve të paligjshëm nga Afrika Veriore të cilët e kanë kaluar shumë net jashtë ambienteve të pritjes në pritje të një përgjigjeje.

Pavarësisht premtimeve, qeveria e Melonit nuk ka qenë në gjendje të frenojë flukset në rritje të emigrantëve. Gati 126,000 emigrantë kanë mbërritur në Itali deri më tani këtë vit, krahasuar me rreth 66,000 në të njëjtën periudhë të vitit 2022.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share