Nënkryetar i ASH-krahu i Selës, Remzi Mehmedi e ka cilësuar si të paligjshëm Kongresin e jashtëzakonshëm të ASH-së që e organizoi Arben Taravari.
“Dje nuk kishte kongres Aleanca për Shqiptarët, as të rregullt e as të jashtëzakonshëm, por një gjymysh spektakël alla Taravarçe, një farsë të turpshme me qëllim të manipulimit të opinionit. Të drejtat, obligimet dhe rregullat e sjelljes brenda Aleancës për Shqiptarët janë të shkruara në Statutin e Aleancës për Shqiptarët. Per tu quajtur kongres ahengu i djeshëm duhej pjesëmarrës të ketë delegatët e kongresit të zgjedhur në Kongresin e rregullt të ASH në vitin 2022 dhe që janë të regjistruar në Gjykatën Themelore të Tetovës, mandati i të cilëve me statut zgjat katër vite, pra deri në vitin 2026.
Për tu quajtur i rregullt, vendimin për tu shpall Kongresi i rregullt e merr Kuvendi i Partisë dhe vendim të tillë nuk ka. Për tu quajtur i jashtëzakonshëm përsëri duhet të thirren delegatët që janë të deleguar dhe mandatuar nga anëtarësia e ASH-së. Dje nuk kishte delegatë ahengu por kishte njerëz, edhe nga partitë tjera një pjesë e madhe e të cilëve e kanë luftuar në frymë e në gërmë Aleancën për Shqiptarët, kurrë anëtarë të saj s’kanë qenë dhe as kanë për të qenë, ishin toge pushkatimi që bashkë me Arben Taravarin po bënin përpjekjen e fundit për të ekzekutuar Aleancën për Shqiptarët. Natyrisht që nuk do të t’ia arrijnë. Për më shumë mënyrën se si zgjidhen delegatet e kongresit e përcakton neni 25 i statutit në fuqi. Ne mungesë delegatësh s’ka kongres, në mungesë delegatësh s’ka vendime legjitime e as legale, prandaj farsa e djeshme ngelet farsë e asgjë më shumë. Duke patur parasysh se nuk ka një vendim të plotfuqishëm të gjykatës, kongresi mbahet me shumicën e delegatëve të regjistruar në gjykatë nga kongresi i fundit zyrtar dhe legjitim. Këtë shumicë e kishim vetëm ne në kongresin e IV ku Ziadin Sela u zgjodh kryetar. Ndërkaq dje edhe vetë Taravari e pranoi se ka mbajtur një tentim për kongres”, tha Remzi Mehmedi, Nënkryetar i ASH-Sela.