Mediat serbe: Fjala vrasje shumë shpesh në fjalorin e Vuçiqit?!

MEDIAT PRO-VUÇIQIT NDEZIN TENSIONET DRAMATIKE

Tashmë disa ditë Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, dërgon mesazhe dramatike për qytetarët, percjell KlanM.

Paradite për marrëveshjet dhe negociatat, kurse pasdite për familjen e tij dhe varret – shkruajnë mediat serbe.

Mesazhi më i ri në këtë temë kishte mbërritur së fundmi nga “Informer” media e afërt me qeverinë serbe dhe partinë e Vuçiqit – SNS. Deklarata thuhet se është bërë në takimin partiak, njofton KlanM.

Mediat serbe raportojnë se Presidenti serb kohëve të fundit adreson akuza ndaj të gjithëve që nuk mendojnë sikurse ai.

Jo vetëm kaq. Si viktima të mundshme nga kundërshtarët e tij politik, sic percjell KlanM, Vuçiqi përmend edhe anëtarët e familjes së tij më të ngushtë.

“Nëse më vrasin mua, mbetet vëllai im Andrej. Nëse vrasin vëllain, mbetet biri im Danilo. Nëse e vrasin birin tim, mbetet e bija Milica. Nëse e vrasin edhe atë, mbetet biri Vukani… Edhe varret tona do të luftojnë kundër ustashëve” – deklaratë për të cilën “Informeri” serb thotë se Vuçiqi ua ka thënë bashkëpunëtorëve më të afërt.

Deklarata e Vuçiqit ka trazuar skenën politike në Serbi por edhe në rajon. Opozita serbe, konkretisht nga partia për “Liri dhe Drejtësi”, sic percjell KlanM, kanë kërkuar nga bashkëpunëtorët e Vuçiqit që ta vetëdijësojnë dhe ta ndalojnë të miratojë vendime në emër të Serbisë.

“Vuçiqi flet për gjakderdhje të fëmijëve të tij. Unë nuk besoj se cfarë lexoj, ky njeri tashmë nuk është I aftë të miratojë vendime. U bëj thirrje miqve, bashkëpunëtorëve të tij që ta vetëdijësojnë. Ai flet për gjakderdhje të fëmijëve të tij, në ditët kur Beogradi dhe Serbia ende janë duke vajtuar për jetët e humbura të fëmijëve” – tha Marinka Tepiq, partia e lirisë dhe drejtësisë.

Ndërkohë mediat proqeveritare serbe thonë se Presidenti Vuçiq, kohëve të fundit është cak i sulmeve serioze nga opozita serbe, duke përmendur një kukull me pamjen e Vuçiqit që ishte varrur ditën e protestës së të shtunës në Beograd.

Shoqata e gazetarëve të Serbisë, sic percjell KlanM, njoftoi se gazetarit Boshko Savkoviq, që dyshohet se ka bartur këtë kukull, I është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditëve.

Nga ana tjetër, mediat pro-Vuçiqit ndezin atmosferën dhe i hedhin benzinë zjarrit duke rritur tensionet dramatike. Ata, sic percjell KlanM, thonë se shefi I shtetit të enjten më 8 Qershor në seancë qeveritare do të bëjë publike një vendim mjaft të rëndësishëm, që sic thuhet, do ta përcaktojë të ardhmen e vendit. Spekulohet se Vuçiqi mund të shpallë zgjedhje të parakohshme që do të mbaheshin në shtator. /KlanMacedonia/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share