Mediat franceze: Macron “arratiset” në Serbi për shkak të krizës politike në Francë

Mediat franceze raportojnë se presidenti Emmanuel Macron po viziton Serbinë sot dhe nesër, duke vlerësuar se ajo ndodhë në një moment të ndjeshëm për Francën në mes të pasigurisë politike dhe kërkimit të një kryeministri dhe një qeverie të re.

Gazeta Le Parisien ka shlruar se në mes të krizës politike, Macron sot dhe nesër “arratiset në Serbi”, ku mund të lidhet një kontratë për shitjen e 12 avionëve Rafale.

“Kur gjërat bëhen të vështira në Paris, presidenti (Macron) udhëton dhe zgjedh skenën ndërkombëtare, zonën e tij të rezervuar”. E rezervuar veçmas, nëse udhëtimi përfundon me nënshkrimin e kontratave të mëdha. Kështu duhet të jetë edhe me Serbinë, ku do ta presë presidenti atje, Aleksandar Vuçiq”, shkruan gazeta.

E përditshmja e Parisit shtoi se Vuçiq planifikon të blejë 12 avionë Rafale për të rinovuar “flotën e MIG-ve të vjetër post-sovjetikë”.

Gazeta Liberation shkruan sot se Macron “po shkon në një udhëtim pune në Serbi, ku do të takohet me presidentin nacionalist dhe populist Vuçiq”.

“Pavarësisht shkeljes së të drejtave të njeriut dhe afërsisë së autoriteteve serbe me Moskën, shitja e 12 ‘Rafale’ duhet të zyrtarizohet”, shkruan gazeta.

Portali Le Sud Ouest vlerëson se edhe pse Franca qëndroi diskrete për shitjen e avionëve dhe kontratës në vlerë prej tre miliardë eurosh, “ky nuk ishte rasti me Serbinë, e cila e theksoi rëndësinë e atij projekti”.

Një vlerësim të ngjashëm ka edhe gazeta Le Monde e cila shkruan se pavarësisht “kujdesit të madh të Pallatit Elysée për çështjen e shitjes së avionëve në mes të krizës politike në Francë, konkretizimi i kontratës me Beogradin, përndryshe i njohur për lidhjet e ngushta me Moskën pritet të ndodhë”.

Faqja e internetit C News raporton se Vuçiq, i cili është në pushtet që nga viti 2012, nuk e fsheh simpatinë e tij për presidentin rus Vladimir Putin.

“Përveç kësaj, në maj, Serbia dhe Kina nënshkruan një marrëveshje për ndërtimin e një të ardhmeje të përbashkët, duke e bërë vendin ballkanik të parin në Evropë që hyn në një partneritet të tillë me Pekinin”, thuhet në faqen franceze.

Radio France Internationale (RFI) vlerësoi se “koha e Macron për vizitën e tij në Serbi është befasuese, sepse vjen në mes të konsultimeve për zgjedhjen e kryeministrit të ri”.

Macron po arrin sot pasdite për një vizitë dyditore në Serbi, ku pas takimit me Vuçiqin do të nënshkruhen disa dokumente dypalëshe.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share