SHQIPËRIA RENDITET NË KRAH TË KRETËS, SAKSONISË, ARUBËS DHE MAURITIUS
Media Britanike “the mirror” ka renditur Shqipërinë të parën në listen e destinacioneve kryesore për këtë vit. Shqipëria po rekomandohet gjithnjë e më shumë nga operatorët turistikë në Mbretërinë e Bashkuar.
Viti i ri, vende të reja për të udhëtuar. Por cilat janë destinacionet më të mira turistike që duhen vizituar gjatë këtij viti?
Kësaj dileme i ka dhënë përgjigje media britanike “The Mirror” përmes një listë të destinacioneve kryesore për këtë vit ku të parin rendit vendin tonë.
Në shkrim thuhet se pushuesit e zgjuar kanë zbuluar këtë destinacion piktoresk, miqësor dhe me leverdi i cili po rekomandohet gjithnjë e më shumë nga operatorët turistikë në Mbretërinë e Bashkuar.
“The Mirror” shkruan se kryeqyteti Tiranë është kozmopolit me muze interesantë ndërsa qyteti i dytë Durrësi ofron një amfiteatër romak dhe bukuri të tjera arkeologjike.
Tabloidi britanik përmend edhe zonat e trashëgimisë botërore të UNESCO-s, si Gjirokastra me pasurinë e saj arkitekturore. “Në brendësi, liqenet e Shkodrës dhe Bovillës plus malet e Parkut Kombëtar të Thethit duhet të zbulohen”, citon gazeta. The Mirror përmend edhe ushqimin shqiptar që sipas britanikes përmban pjata të shijshme dhe të shëndetshme mesdhetare.
Shqipëria renditet në krah të Kretës, Saksonisë, Arubës dhe Mauritius.