Ka 50 vjet që njerëzit udhëtojnë nëpër Europë me abonenë Interrail të trenave. Me një abone të tillë treni udhëtarët shkojnë në vende të reja dhe njihen me banorët e tyre.
Pemë të shumta, aty këtu ndonjë shtëpi, ndonjë fushë, peizazhet i kalojnë para syve Sophia Klimpelit, e cila i ndjek ato me kuriozitet nga dritarja. Ndihem shumë mirë, thotë ajo për udhëtimin. “Udhëtimi me tren është shumë më afër realitetit se sa për shembull fluturimi me avion, sepse të lejon të përjetosh ndryshimet e botës jashtë.” 22 vjeçarja që udhëton me abonenë Interrail ka përpara 12 orë udhëtimi nga Sarbrykeni i Gjermanisë në Ljubljanën e Slovenisë.
Liri, shoqëri, aventurë- me këto fjalë ndërmarrja gjermane e trenave, Deutsche Bahn, bën reklamë për 50 vjetorin e abonesë Interrail. Interrail është një abone treni me të cilin mund të udhëtosh me tren nëpër Europë. Kur ndërmarrja gjermane e trenave filloi në vitin 1972, të provonte për herë të parë abonetë Interrail të trenit, për shkak të suksesit ajo i ktheu ato në pjesë përbërëse të ofertës së përgjithshme të trenit në Gjermani. Që nga ajo kohë, 10 milionë udhëtarë kanë udhëtuar me abonenë Interrail të trenave, duke shkuar në 10 mijë pika turistike në 33 vende europiane, mes të cilave edhe në Turqi, si dhe në lidhjet detare midis Italisë dhe Greqisë. Udhëtimet me këtë abone zgjasin nga tri ditë deri në tre muaj, dhe çmimet e biletave ndryshojnë në varësi të gjatësisë së udhëtimit, numrit të ditëve të udhëtimit dhe përdorimit ose jo të klasit të parë në tren. Aboneja më e lirë Interrail e trenit ka qenë mbi 185 euro.
Europa jugore shumë e preferuar
Gjatë udhëtimit, kjo abone të jep mundësinë edhe të ndërprerjes së përkohshme të udhëtimit dhe të shfrytëzimit të uljes së çmimeve në vendin e qëndrimit. Preferencat më të mëdha janë për periudhën nga qershori deri në shtator, kur udhëtohet kryesisht në Europën Jugore dhe Perëndimore, Europën Qendrore, por edhe rajonet bregdetare sidomos në Itali, Francë dhe Spanjë.
Për të shkuar në Europën jugore ka vendosur edhe Valerie Maas. Ajo kërkoi në internet për të parë ku mund të kalonte kohën deri sa të fillonte studimet për master dhe rastësisht pa lirimet që ofrohen me abonetë Interrail për shkak të përvjetorit. Ajo vendosi sponantisht të blejë për 247 euro abonenë globale Interrail, për një periudhë dy mujore udhëtimi, me numër të pakufizuar të ditëve të udhëtimit.
Shitje rekod prej lirimeve për shkak të përvjetorit
Në këtë vit përvjetori gjatë muajit maj pati ulje 50 përqind të aboneve. Në faqen e internetit të ndërmarrjes gjermane të trenave, Deutsche Bahn, në pesë ditët e para u shitën më shumë abone Interrail se sa në katër muajt e parë të vitit. Oferta e përvjetorit i ka tejkaluar shpresat e udhëtarëve, tha zëdhënësja e ndërmarrjes së trenave. Ndërmarrja gjermane e trenave merr pjesën e vet në shumën që nxirret nga shitja e aboneve për udhëtarët me vendbanim në Gjermani ose nga shitja e aboneve që përdoren për udhëtime në Gjermani.
Oferta fillimisht ka qenë vetëm për të rinjtë, por ndërkohë aboneja Interrail, mund të blihet nga të gjitha moshat. Fëmijët nën moshën 11 vjeç udhëtojnë falas. Megjithatë, të rinjtë përbëjnë me 64 përqind grupin më të madh të përdoruesve të abonesë Interrail.
Me Interrail udhëton duke mbrojtur klimën
Sophia Klimpel tregon se është tifoze e madhe e Interrail-it. Ajo vlerëson “udhëtimin me ndërgjegje të gjelbërt”, dhe me çmim relativisht të lirë. Por ajo bezdiset nga vështirësia e bërjes së planeve të udhëtimit dhe mungesa e fleksibilitetit për periudhat kur udhëtohet shumë, si dhe shtrenjtimi pjesërisht i madh i rezervimit të vendeve të uljes, rezervim që nuk mund të bëhet me aplikacionin e Interrail-it.
Një zëdhënëse e trenave e përshkruan udhëtimin me Interrail si një mënyrë jetese, e cila nuk ka të bëjë vetëm me çmimin e lirë. Interrail është udhëtim i ndërgjegjshëm, udhëtim i ngadalësuar për të shtuar faktorin e përjetimeve dhe për të bërë njerëzit bashkë. Interrail përmbush po ashtu dëshirën në rritje të njerëzve për të udhëtuar duke mos e dëmtuar klimën.
Mbledhja e përjetimeve është pjesë e Interrailit
Valerie Maas pati një përjetim të veçantë në Francë. Në Vernet-les-Bains, një fshat në Pirene, ajo zbret nga treni. Atje shiten mes të tjerash shumë sende shtrigash. Këto sende e kanë fillesën tek një legjendë që thotë se shtrigat dalin në fund të dimrit nga pylli i tyre, për të luftuar dimrin. Kështu hapet vendi për të ardhur pranvera. Në fshat dhurohen figura të vogla shtrigash, si simbole mbrojtjeje dhe renovimi. “Vizita e këtij fshati të veçantë, ishte për mua përvoja më e bukur deri tani,” thotë Valerie.
Dëshira për udhëtime vazhdon të rritet
Pandemia e Koronës ka ndikuar edhe tek bilanci i Interrail-it. Kështu shitjet në vitin 2020 në Gjermani ranë 76 përqind, në gjithë Europën 86 përqind. Me fillimin e gjashtëmujorit të dytë të vitit 2021 pati një rritje të pakët. Në vitin 2022 dëshira për udhëtime është e madhe sërish!
Sophia Klimpel ka përjetime të veçanta në udhëtimin e saj nëpër Slloveni. Në rrugën për Ljubjanë ajo njihet me një çift me të cilin bisedon në tetë orë rresht dhe vazhdon të ruajë kontaktin. Më vonë ata takohen për një birrë në Piran, në një qytet bregdetar të Sllovenisë. Momente të tilla ajo i sheh si arsye për të udhëtuar me tren, edhe në kohëra pandemie. /DW