Të dhënat janë në përditësim
■ Ekipet e shpëtimit vijojnë intensivisht kërkimet për të mbijetuar në jug të Turqisë dhe në veri të Sirisë, pas dy tërmeteve të fuqishme të së hënës.
■ Më shumë se 12,000 persona janë konfirmuar të vdekur, megjithatë autoritetet druhen se numri i viktimave mund të vijojë të rritet.
■ Zonat e prekura nga tërmeti u vizituan të mërkurën nga presidenti turk President Recep Tayyip.
■ Në Turqi, numri i të vdekurve ka shkuar në të paktën 9,057, ndërsa të plagosurit janë mbi 53,000.
■ Në Siri të vrarët janë 2,600, ndërsa të plagosurit mbi 4,000.
■ Përpjekjet për të shpëtuar sa më shumë jetë vijuan edhe në natën e dytë nën temperatura të acarta. Ekipet e shpëtimit janë në luftë më kohën.
■ Ekipe nga të paktën 70 vende të botës, përfshirë Shqipërinë, kanë shkuar në zonat e prekura nga tërmeti.
■ Në Siri mbërritja e ndihmës ndërkombëtare është më e vështirë, për shkak të aksesit të limituar, si pasojë e rrugëve të dëmtuara.
■ Tërmeti i parë me magnitudë 7.8 ra pranë Gaziantep, në orët e para të hënës. Ai u pasua nga një tjetër tërmet i fuqishëm në mesditë, me magnitudë 7.5.
Ora 21:07 – BE do të mbajë konferencë donatorësh për Turqinë dhe Sirinë
Bashkimi Europian do të mbajë një konferencë donatorësh për të mbledhur fonde për Turqinë dhe Sirinë që u goditën nga një tërmet i fuqishëm.
Lajmin e ka bërë të ditur Ursula von der Leyen, e cila pas një telefonate me Kryeministrin suedez bëri të ditur se konferenca e donatorëve do të mbahet në muajin Mars në Bruksel.
Von der Leyen theksoi se prioriteti për momentin është shpëtimi i sa më shumë jetëve të njerëzve që ndodhen të bllokuar nën rrënoja.
Ditën e sotme, BE bëri të ditur se Mekanizmi i saj i Mbrojtjes Civile po kryhen një nga operacionet më të mëdha të kërkim-shpëtimit.
BE-ja ka dërguar 31 ekipe kërkim-shpëtimi në Turqi dhe Siri, si dhe 5 ekipe mjekësore.
Bashkimi Europian është zotuar se Turqisë do t’i sigurojë 3 milionë Euro, ndërsa Siria do të marrë 3.5 milionë Euro të tjera ndihmë urgjente.
Edhe shtete të tjera, përfshirë Shqipërinë, kanë dërguar ekipe kërkim-shpëtimi në Turqi për të nxjerrë të mbijetuarit nga gërmadhat.
Ora 20:58 – Biden shpreh mbështetjen e SHBA për popullin e Turqisë dhe të Sirisë
Presidenti i SHBA, Joe Biden i ka shprehur ngushëllimet dhe mbështetjen e SHBA-së Turqisë dhe Sirisë për tërmetin shkatërrimtar që goditi këta 2 popuj.
“Mendimet dhe lutjet tona shkojnë për popullin e Turqisë dhe të Sirisë. Shprehim ngushëllimet tona më të thella për humbjen e kaq shumë jetëve. Mendimet tona shkojnë gjithashtu tek të mbijetuarit, të cilët janë prekur nga kjo tragjedi”, u shpreh Presidenti Biden teksa komunikonte me anëtarët e sindikatës në Wisconsin.
Gjatë fjalës së tij, presidenti amerikan Biden theksoi se ka folur me presidentin turk Erdogan të cilit i ka shprehur në emër të SHBA-së mbështetje të plotë si dhe ekipe të shpëtimit dhe të rimbëkëmbjes.
Presidenti Biden shtoi se në Siri vazhdon që të mbështesë partnerët humanitarë me pajisje dhendihmë për msionet e kërkimit dhe të shpëtimit.
“SHBA është donator kryesor në të gjitha zonat e Sirisë, pavarësisht se kush e kontrollon territorin. Kjo ka të bëjë me shpëtimin e jetëve njerëzore. Ne mbetemi të palëkundur në angazhimin tonë për të mbështetur popullin e Turqisë dhe të Sirisë në këtë kohë të vështirë për ta”, tha Presidenti Biden.
Ora 19:08 – Pallatet e rrëzuara nga tërmeti/ Rritet zemërimi në Turqi për cilësinë e ndërtimit
Rreth 75 mijë ndërtesa në Turqi kanë pësuar dëmtime nga tërmeti me magnitudë 7.8 që goditi vendin dy ditë më parë, një pjesë e konsiderueshme e të cilave janë rrëzuar tërësisht.
BBC raporton se në mesin e shumë qytetarëve turq është rritur zemërimi dhe pakënaqësia për cilësinë e dobët të ndërtimeve. Sipas tyre, zbatimi i paplotë i rregullores së ndërtimit ishte shkaktar për shembjen e shumë pallateve, gjë që ka shkaktuar rritjen e numrit të vdekjeve.
Në Turqi janë shumë të ashpra rregullat e ndërtimit pas fatkeqësive nga tërmetet në vitet e mëparshme, i fundit ai i vitit 2018.
Mirëpo, ekspertët thonë se katastrofa e fundit tregoi që rregullat strikte të ndërtimit nuk janë zbatuar plotësisht.
Disa prej ndërtesave të shembura nga tërmeti në Turqi janë të ndërtuara së fundmi.
Ora 18:58 – Policia turke: Arrestohen 5 persona për “postime provokuese” për tërmetin në rrjetet sociale
Forcat Policore Turke kanë deklaruar se të paktën 18 persona janë ndaluar dhe 5 të tjerë janë arrestuar pas postimeve që ata i quajnë “provokuese” në platformat e rrjeteve sociale në lidhje me tërmetin shkatërrimtar me magnitudë 7.8 që goditi Turqinë Jugore.
Forcat Policore Turke kanë shkruar në Twitter se 202 menaxherë llogarish, të cilët sipas tyre kanë bërë “postime provokuese” për tërmetin në platformat e rrjeteve sociale janë zbuluar.
“Faqet që donin të abuzonin me qytetarët tanë janë mbyllur”, thuhet në reagimin e Forcave Policore Turke.
Më herët, presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan paralajmëroi për ato që ai i quan “veprimet provokuese” gjatë vizitës së tij në Kahramanmaras.
“Dua që miqtë e mi të shtypit të mos u japin mundësi atyre për këto provokimeve”, tha Erdogan.
Kritikat nga figurat e opozitës po rriten. Disa pretendojnë se përpjekjet emergjente kanë qenë shumë të ngadalta dhe se nuk është bërë mjaftueshëm për të përgatitur rajonin e prirur nga tërmeti gjatë tetë viteve të tij në detyrë.
Ora 18:22 – Pamjet apokaliptike nga Siria, dëmet që ka shkaktuar tërmeti
Pamje të tmerrshme vijnë nga Siria, ku tërmeti i dy ditëve më parë me epiqendër në Turqi ka shkaktuar dëme të mëdha edhe aty.
Në pamjet e publikuara në Twitter, në qytetin e vogël sirian Jidayris janë shkatërruar rreth 50 ndërtesa.
Video e publikuar nga “Helmetat e Bardha” tregon shkatërrimin që ka lënë pas tërmeti në Jidayris.
“Një situatë katastrofike, shkatërrim kudo. Qindra familje janë ende nën rrënoja dhe ekipet tona po punojnë me gjithë forcë në vendet e shkatërruara”, shkroi në Twitter Raed al-Saleh, kreu i “Helmetave të Bardha”.
Të martën, një mjek në një spital të zonës tha se një vajzë e sapolindur ishte nxjerrë gjallë nga gërmadhat. Ndërsa babai, nëna, 4 vëllezërit e motra si dhe halla e vogëlushes nuk mbijetuan. Në Siri janë mbi 2500 të vdekur dhe më shumë se 4 mijë të plagosur nga tërmeti shkatërrimtar.
Ora 16:58- Erdogan: E pamundur të përgatitesh për një fatkeqësi kaq të madhe
Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan i është kundërpërgjigjur zemërimit të popullit në rritje për përgjigjen e shtetit pas fatkeqësisë së madhe natyrore.
“Është e pamundur të përgatitesh për një fatkeqësi kaq të madhe”, u shpreh Presidenti Erdogan.
Gjatë një vizite në Hatay, një nga rajonet më të goditura nga tërmeti, Presidenti Rexhep Tajip Erdogan u tha gazetarëve se numri zyrtar i të vdekurve ishte rritur në 9,057.
Ndërkohë ata që kanë deklaruar se nuk i kanë parë aspak forcat e sigurisë në disa zona të prekura nga tërmeti, i ka cilësuar si “provokues”.
Gjatë një ndalese tjetër më herët në një nga zonat e prekura nga fatkeqësia, ai pranoi disa probleme, por tha se situata ishte tani “nën kontroll”.
Kritikat nga figurat e opozitës po rriten. Disa pretendojnë se përpjekjet emergjente kanë qenë shumë të ngadalta dhe se nuk është bërë mjaftueshëm për të përgatitur rajonin e prirur nga tërmeti gjatë tetë viteve të tij në detyrë.
Ora 16:26- BE do t’i dërgojë Sirisë 3.5 milionë Euro ndihmë
BE-ja ka konfirmuar se do të dërgojë 3.5 milionë € ndihmë për Sirinë. Njoftimi erdhi pasi Siria kërkoi zyrtarisht ndihmë sipas një skeme të krijuar për të mbështetur vendet e goditura nga fatkeqësitë natyrore, gjë që ka aktivizuar Mekanizimin e Mbrojtjes Civile të BE-së.
Gjithashtu blloku ka njoftuar një vlerë fillestare prej 3 milionë € ndihmë për Turqinë pasi vendi aktivizoi Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të BE-së.
Më herët, korrespondenti i BBC News shpjegoi se dërgimi i ekipeve në Siri do të ishte më i ndërlikuar se Turqia, pasi kontrolli në veri është i ndarë midis qeverisë dhe grupeve rebele.
Ora 16:09–Mrekulli nën rrënojat e tërmetit
Ky djalë i vogël qëndroi në rrënojat e tërmetit për më shumë se 45 orë në juglindje të Turqisë.
Quhet Mohamed dhe është 4-vjeç dhe gjëja e parë që u kërkoi pjesëtarëve të ekipeve të emergjencës ishte ujë. Siç duket edhe në pamje, ata ia japin ujin me kapakun e shishes, si i vetmi mjet rrethanor që mund të arrinte mes shtresave të betonit që e kishin zënë poshtë.
Ndërsa këta dy të mitur, motër e vëlla u gjetën të gjallë, të përqafuar mes rrënojave të banesës së tyre. Vajza u kërkon punonjësve ta shpëtojnë atë dhe vëllain dhe mirënjohje për gjithë jetën, premton se do të bëhet skllavja e tyre.
I mbijetuar mes rrënojave për 48 orë, ky djalë i vogël pyet i dëshpëruar punonjësit e kërkim shpëtimit, nëse do i prisnin krahun për të dalë nga vendi ku kishte mbetur.
Të gjallë pas dy ditësh nën rrënoja janë nxjerrë me qindra foshnje, vetëm disa muajshe.
Në rrjetet sociale qarkullon edhe ky filmim i një djali sirian që ka transmetuar drejtpërdrejt momentet kur ishte nën rrënoja dhe ndjesinë e tmerrit që po përjetonte kur lëkundjet vazhdonin.
Edhe pse deri më tani nuk ka shifra të sakta, me mijëra fëmijë janë nxjerrë dhe vazhdojnë të nxirren të gjallë nga rrënojat edhe në ditën e tretë pas tërmeteve të fuqishëm. Sipas OBSH-së, 1.4 milionë fëmijë mendohet se po vuajnë pasojat e lëkundjeve katastrofike.
Tv Klan
Ora 15:50–Ekipi shqiptar, në rrënojat e Malatya
Menjëherë sapo kanë mbërritur në Maltija, një nga zonat më të prekura nga tërmeti në Turqi, një nga ekipet që përbëjnë misionin shqiptar të kërkim shpëtimit kanë nisur të punojnë në një pallat, ku dyshohet të ketë rreth 60 persona nën rrënoja.
Endrit Cengu, komandanti i grupit për bazat për mbështetjen e Emergjencave Civile, në një intervistë për Tv Klan shpjegon vështirësitë që kanë hasur dhe gëzimin që kanë ndjerë ditën e djeshme kur kanë nxjerrë gjallë një fëmijë nga rrënojat.
“Para gjysmë ore është bërë e mundur dalja e një trupi të pajetë, ndërsa ditën e djeshme kemi kryer operacion dhe fatmirësisht një fëmijë i vogël u nxorr i gjallë nga rrënojat”.
Ndërkohë që qeveria shqiptare po mendon që të nisë një tjetër ekip drejt Turqisë, ditën e sotme është nxjerrë dhe VKM për misionin e nisur, pasi për të mos humbur kohë ishte firmosur një vendim qarkullues.
“Kontributi jonë nuk është një kontribut modest është i qenësishëm, sepse janë 73 forca nga më të mirat e kërkim shpëtimit”.
Ministrja e Jashtme përsërit se nuk ka shqiptarë të raportuar, që të ketë humbur jetën apo lënduar, por është bërë e mundur nga selitë diplomatike në Turqi komunikimi me familjarët e disa shtetasve me prejardhje shqiptare e shtetësi turke.
“Kemi pasur informacion për rreth 10 familje me origjinë shqiptare. Të parët e tyre janë zhvendoszur në Turqi 100 vite më parë, të cilët fatmirësisht janë kontakt me të afërmit e tyre”.
Nisja e misioneve të kërkim shpëtimit drejt Turqisë u bë si pjesë e Mekanizmit Europian të Emergjencave, ku vendi ynë u bë anëtare vitin e shkuar.
Tv Klan
Ora 15:30-Mbi 11 200 viktima nga tërmeti në Turqi e Siri
Edhe pse operacionet e emergjencës në zonat e shkatërruara nga tërmeti në Turqi dhe Siri kanë hyrë në ditën e tretë, nën rrënoja ka ende shpresë. Këta punonjës të ekipeve të emergjencës në Idlib, në veri të Sirisë, nxorën të gjallë nga rrënojat e një ndërtese të bërë rrafsh me tokën, 6 anëtarët e të njëjtës familje, 4 fëmijët e vegjël dhe prindërit e tyre. Pas kësaj mrekullie, nuk kishte se si të fshihej entuziazmi.
Por pavarësisht se ekipet e emergjencës, jo vetëm nga Turqia, por e gjithë bota, janë në luftë me kohën për gjetjen e të mbijetuarve nën rrënoja, bilanci i viktimave ecën me ritme shumë të shpejta. Deri më tani, kjo shifër ka arritur në mbi 11 200. Më shumë se 8 700 viktima janë shënuar në 10 qytetet turke të goditura nga tërmetet e të Hënës.
Mbi 49 mijë janë të plagosurit në dy vendet. Shifra totale e të prekurve nga lëkundjet e tokës përllogaritet në 23 milionë. Ekspertët presin që numri total i viktimave të jetë rreth 20 mijë, pasi ka ende zona ku operacionet e kërkim shpëtimit janë në faza fillestare.
Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan vizitoi këtë të Mërkurë qytezën e Kahramanmarashit pranë Gaziantepit. Kreu i shtetit turk premtoi rindërtimin strehimin në banesa të reja të të gjithë banorëve të prekur nga lëkundjet shkatërrimtare të tokës, brenda një viti.
Krahas tonelatave me ndihma të ardhura nga vendet aleate, shumë qytetarë nga zona të ndryshme të Turqisë janë solidarizuar me të prekurit nga tërmeti dhe janë dyndur nëpër markete për të mbushur kuti me ushqime për t’ua dërguar atyre.
Tv Klan
Ora 14:30-Gëzim e hidhërim në të njëjtën kohë, trupat shqiptare shpëtojnë 5-vjeçarin. Nxirren 3 viktima nga rrënojat në Turqi
Operacioni i kërkim shpëtimit për mijëra punonjës që janë angazhuar në kërkim të të mbijetuarve në Turqi është i vështirë, jo vetëm për shkak të motit të ftohtë, por sepse sa më shumë kalon koha, aq më të vogla janë shpresat për të mbijetuar.
Megjithatë, teksa kjo e mërkurë shënon ditën e tretë, ekipet kanë mundur të shpëtojnë shumë njerëz, ashtu si edhe në rastin e trupave shqiptare, të cilët në mesditë arritën të nxirrnin të gjallë nga rrënojat një 5-vjeçar në Malatya të Turqisë. I mituri ishte në gjendje të mirë shëndetësore pavarësisht orëve të gjata nën rrënoja.
Lajmi u bë i ditur nga Ministria e Mbrojtjes, e cila po ashtu tha se deri më tani janë nxjerrë 3 trupa të pajetë. Pjesëtarët e ekipit tonë shëndetësor kanë asistuar edhe në dhënien e ndihmës shëndetësore për dhjetëra persona të lënduar.
Ndërkohë, në Turqi ka mbërritur edhe kontingjenti i dytë i forcave shqiptare. Në total Shqipëria ka dërguar 73 trupa të shpëtim kërkimit dhe njësisë ushtarake të shëndetësisë.
Ora 13:56-Xhaçka: Nuk kemi informacione për qytetarë shqiptarë të prekur nga tërmeti në Turqi
Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhacka, u shpreh se deri më sot nuk ka informacione për qytetarë me nënshtetësi shqiptare që të kenë qenë banorë të zonave të prekura nga tërmeti në Turqi, por të kenë humbur kontaktet me familjarët e tyre.
Xhaçka u shpreh se në këto zona ka pasur rreth 10 familje me origjinë shqiptare që janë zhvendosur para 100 vitesh në Turqi, që kanë humbur kontaktet me familjarët në Shqipëri, por tashmë janë në kontakt.
Sot që flasim paçka se kemi vënë në dispozicion numra kontakti përmes ambasadës dhe konsullatës apo adresa emaili dhe kemi koordinuar këtë lloj komunikimi nuk kemi asnjë informacion për qytetarë shqiptarë, pra me nënshtetësi shqiptarë, që të kenë qenë pjesë apo rezidentë të këtyre zonave, apo të kenë humbur kontakte me familjarë të tyre. Kemi pasur informacion për rreth 10 familje me origjinë shqiptare. Të parët e tyre janë zhvendosur në Turqi 100 vjet përpara. Pra jo me nënshtetësi shqiptare, por me origjinë shqiptare, që fatmirësisht janë në kontakt me të afërmit e tyre paçka se e kishin humbur atë mnë momentet e para”, u shpreh Xhaçka.
Ora 13:24-Tërmeti në Turqi, Rama publikon adresat për ndihmë për shqiptarët në zonat e prekura
Kryeministri i vendit Edi Rama ka shpërndarë në Facebook-un e tij numrat e kontaktit si dhe adresën e e-mail në shërbim të shtetasve shqiptarë që ndodhen në zonat e prekura nga tërmeti në Turqi.
Rama thotë se vendi ynë është në solidaritet të plotë me Turqinë dhe popullin e saj në këto ditë të vështira dhe se Ministria e Jashtme është në kontakt të pandërprerë me familjet shqiptare atje.
“Lidhur me situatën e rëndë të krijuar nga fatkeqësia natyrore e tërmetit në Turqi, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme njofton se të gjithë shtetasit shqiptarë që ndodhen në zonat e prekura nga tërmeti të cilët kanë nevojë për ndihmë të kontaktojnë në: –Tiranë: (+355) 696 773 168, –Stamboll:(+90) 539 656 621 9, –Ankara: (+90) 549 561 198 5, në dispozicion në ndihmën tuaj 24/7 dhe në adresën e email-it: [email protected]. Në solidaritet me Turqinë dhe popullin e saj në këto ditë të vështira, MEPJ është në kontakt të vazhdueshëm me autoritet zyrtare turke dhe me familjet shqiptare që ndodhen në këto zona“, shkruan Rama.
Ora 12:56-Ambasadorja Kim takon homologun turk në Tiranë: Jemi me miqtë tanë në këtë kohë të vështirë
Ambasadorja e SHBA, Yuri Kim, ka takuar këtë të mërkurë homologun e saj turk në Shqipëri, Tayyan Kagan Akay. Ambasadorja Kim i ka shprehur ngushëllimet ambasadorit turk për tragjedinë pas tërmetit të 6 Shkurtit.
“Në emër të ambasadës së SHBA në Tiranë, i shpreha mikut dhe kolegut turk Tayyan Kagan Akay, ngushëllimet më të thella për vuajtjet e shkaktuara nga tërmeti në Turqi. Ne jemi me miqtë tanë turq në këtë kohë të vështirë”, shkruan ambasadorja.
Kim ka shpërndarë edhe disa foto nga vizita që ka bërë në ambasadën turke në Tiranë.
Ora 12:56-Begaj shkon në Ambasadën e Turqisë në Tiranë, shpreh ngushëllimet për tërmetin e 6 Shkurtit
Presidenti Bajram Begaj ka vizituar Ambasadën e Turqisë në Tiranë. Kreu i shtetit thotë se ka shprehur ngushëllimet pranë kësaj ambasade për tërmetin e datës 6 Shkurt.
“Populli shqiptar, si dhe unë e kemi të vështirë të gjejmë fjalët e duhura për të ngushëlluar popullin vëlla turk dhe qetësuar sadopak zemrat e familjeve të të mbijetuarve”, shkruan Begaj në rrjetet sociale.
Më tej ai thotë se i gjithë populli shqiptar “lutet për një rimëkëmbje sa më të shpejtë fizike dhe shpirtërore të secilës familje të prekur nga kjo tragjedi”.
Ora 12:14-Erdogan: Pas një viti do ngremë godinat e reja, nuk i lëmë njerëzit tanë në rrugë
Me mbërritjen në zonat e prekura nga tërmeti i fuqishëm i 6 Janarit, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan tha për mediat se të gjitha institucionet po punojnë për përballimin e kësaj fatkeqësie.
Erdogan u shpreh se puna e ekipeve të kërkim-shpëtimit po vijon, tashmë 57 orë pas tërmetit tragjik e po ashtu po bëhet gjithçka sipas tij për strehimin e njerëzve të cilët kanë mbetur pa shtëpi.
“Të gjitha institucionet janë në këmbë bashkë me bashkitë pavarësisht ngjyrës politike, ditën e parë kishim disa probleme por tani situata është më nën kontroll.”
Numri i të vdekurve në Turqi thotë Erdogan ka shkuar në 8547 mijë, ndërsa të plagosur janë mbi 49 mijë.
“Qendra e goditjes së tërmetit ishte pikërisht këtu ku ndodhem unë, janë goditur 10 qarqe të Turqisë. Aktualisht konfirmohen 8574 të vdekur, 49133 të plagosur dhe 6444 godina të shembura. Jam i bindur se njerëzit do të kenë durim për të përballuar këtë fatkeqësi.”
Presidenti turk theksoi se qeveria ka synim të mbyllë procesin e rindërtimit të godinave të shkatërruara brenda një viti dhe se çdo familje e prekur nga tërmeti do të marrë 10 mijë lira.
“Nuk lejojmë që njerëzit tanë të qëndrojnë në rrugë, është koha të ecim të gjithë bashkë si popull. Pas një viti do ngremë godinat e reja, qëllimi ynë është të mballimin rindërtimin brenda një viti. Jemi gati me të gjitha kapacitetet tona hotelerike për strehimin e njerëzve, po bëjmë çdo gjë për t’ju garantuar ushqim, veshmbathje dhe transportimin në zonat e tjera. Ministria e Financave ka përcaktuar buxhetin për të nisur verifikimet e dëmeve dhe do japim 10 mijë lira për çdo familje të prekur nga tërmeti, në mënyrë që të përballojnë këtë situatë”-përfundoi Erdogan.
Ora 11:17-Togeri shqiptar në Turqi: Nën rrënoja ka ende të mbijetuar, pak më parë nxorëm një viktimë
Behar Katuci është një prej pjesëtarëve të grupit të dërguar nga Shqipëria në zonat e prekura nga tërmeti në Turqi. Aktualisht ai ndodhet në Malatia. Në një lidhje direkte me Klan News, Katuci tregon se kërkimet për të mbijetuar kanë vijuar gjatë gjithë natës, pavarësisht temperaturave të ulëta. Ai shprehet se nga të dhënat e siguruara nga kontrollet me kamera, rezulton se nën rrënoja ka ende të mbijetuar. Teksa raportonte, Katuci tha se pak minuta më parë kishin nxjerrë një trup të pajetë nga rrënojat.
A mund të na thoni ekzaktësisht se ku ndodheni?
-Ndodhem në qytetin Malatia të Turqisë, konkretisht jam në një zonë operacionale, ndërtesë, ku fatkeqësisht para 2 minutash sapo nxorëm një viktimë. Vazhdojnë kërkimet me kamera në të gjithë shtëpinë e cila është shembur. Konkretisht jemi 33 trupa nga Shqipëria në zonën operacionale. Këto janë të dhënat më të fundit.
Sa i përket monitorimit dhe pjesës së menaxhimit të kërkim shpëtimit, sa e vështirë është puna në terren, qoftë për shkak edhe të situatës së krijuar, qoftë për kushtet atmosferike, si po menaxhohet?
-Sa i përket situatës atmosferike ka qenë vërtetë vështirë, sepse janë temperatura shumë të ulëta, gjatë natës kanë shkuar edhe minus 8 gradë Celcius. Ne kemi vazhduar operacionin gjatë gjithë natës, deri në orën 5 të mëngjesit të sotëm. Kemi lokalizuar disa viktima, por në pamundësi për t’i nxjerrë gjatë natës, aktualisht sapo nxorëm një viktimë.
Shpresat për të nxjerrë nën rrënoja persona të cilët i kanë mbijetuar kësaj tragjedie, si duken?
-Nga të dhënat e fundit që kemi aktualisht, që po shikojmë me kamera, ka dhe të dhëna që ka njerëz që janë të gjallë nën rrënoja dhe po bëhet e mundur kërkimi dhe hapja e segmenteve të ndryshme për nxjerrjen e tyre nga rrënojat.
A ka nevojë për më shumë forca në terren për të menaxhuar pjesën e kërkimeve apo tashmë janë mjaftueshëm sepse kanë ardhur edhe nga shtete të tjera?
-Faktikisht këtu ndodhen shumë aleatë të shteteve të ndryshme, për këtë arsye besoj se janë mjaftueshëm pavarësisht se dëmet janë shumë kolaterale.
Ora 11:01-Erdogan viziton zonat e prekura nga tërmeti
Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka mbërritur në zonat e prekura nga tërmeti i fuqishëm i së hënës, në një kohë kur ekipet e shpëtimit vijojnë misionin e tyre për të nxjerrë njerëzit e zënë nën rrënoja.
Aktualisht ai po viziton provincën jugore të Kahramanmaraş. Ai u ndal në stadiumin ku janë ngritur çadra për të mbijetuarit. Në një prononcim për mediat, Erdogan tha se numri i viktimave në Turqi kishte shkuar në të paktën 8,574, ndërsa rreth 50,000 është numri i të plagosurve.
Kreu i shtetit turk pritet të shkojë gjithashtu në Pazarcık, një prej zonave më të prekura nga tërmeti me magnitudë 7.8 i së hënës. Pas kësaj ndalesa e radhës e Erdogan do të jetë Hatay.
Një ditë më parë, kreu i shtetit turk shpalli 3 muaj gjendje emergjence kombëtare në 10 provincat e prekura.
Ora 10:48-Momenti prekës kur 8-vjeçari në Turqi nxirret nga rrënojat pas 52 orësh
Çdo orë që kalon shkakton tension në Turqi dhe Siri. Forcat e kërkim-shpëtimit po përpiqen që të nxjerrin çdo të mbijetuar nga rrënojat.
Shpresëdhënës është rasti më i fundit që ka ndodhur në Hatay të Turqisë. Një fjalë i vogël, vetëm 8 vjeç është nxjerrë nga rrënojat pas 52 orësh.
Mediat shkruajnë se i vogli quhet Yigit Cakmak. Siç duket nga fotot që po bëjnë xhiron e rrjeteve sociale, i mituri buzëqesh dhe përshëndet me dorë të pranishmit pasi nxirret.
Emocionues është edhe momenti i takimit me nënën e tij. Kjo e fundit nuk i mban lotët pasi është bashkuar me të birin.
Kujtojmë që Hatay është një nga zonat më të prekura nga tërmeti në Turqi. Deri më tani si pasojë e tërmetit me magnitudë 7,8 përllogariten rreth 9500 të vdekur dhe mbi 38 mijë të plagosur në Turqi dhe Siri.
Ora 10:48-Video: Para dhe pas tërmetit vdekjeprurës
Pamjet satelitore tregojnë Kahramanmaras, Islahiye dhe Nurdagi në Turqi, para dhe pas tërmetit të së hënës.
Shkalla e shkatërrimit po bëhet gjithnjë e më e dukshme, ndërsa numri i të vdekurve që deri më tani e ka kaluar shifrën e 9 500 personave, po vjen gjithnjë e në rritje. Siç shkruan Reuters, një zyrtar i OKB tha se me mijëra fëmijë mund të kenë humbur jetën nga lëkundjet e së hënës, në Turqi e Siri.
Zyrtarët e ndihmës janë të shqetësuar në veçanti për situatën në Siri, vend që ishte edhe para tërmetit në krizë humanitare, pas gati 12 vitesh lufte civile.
Autoritetet turke thonë se rreth 13.5 milionë njerëz janë prekur, në një zonë të shtrirë në gati 450 kilometra, nga Adana në perëndim deri në Diyarbakir, në lindje dhe 300 kilometra nga Malatya në veri te Hatay në jug.
Ndërkohë, autoritetet siriane kanë raportuar për viktima deri në jug, në Hama, që ndodhet rreth 250 kilometra nga epiqendra.
Ora 10:33-Pamje me dron: Shkatërrim masiv pranë epiqendrës së tërmetit
Pamjet me dron të përcjella nga Reuters këtë të mërkurë tregojnë ekipet e shpëtimit duke kërkuar në rrënoja, me shpresën që mund të ketë ende njerëz gjallë. Pamjet janë filmuar pranë epiqendrës, në Kahramanmaras të Turqisë, në ditën e tretë të operacioneve të shpëtimit.
Pranë stadiumit, njerëzit qëndrojnë në radhë. Aty ndodhen të vendosura tenda për të mbijetuarit nga tërmeti.
Zyrtarisht numri i viktimave në Turqi dhe Siri është mbi 9500. Në Turqi, shumë e kaluan natën e dytë në temperatura të acarta duke fjetur në makina apo në rrugë, të mbuluar me batanije, nga frika për t’u futur brenda banesave.
Tërmeti i mëngjesit të së hënës me magnitudë 7.8 ishte më vdekjeprurësi që prej 1999-s. Disa orë më vonë, ai u pasua nga një tjetër tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.5, që shembi me mijëra ndërtesa të tjera përfshirë spitale, shkolla e blloqe apartamentesh. Me mijëra janë të plagosurit, ndërsa të panumërt janë ata që kanë mbetur pa shtëpi, si në Turqi ashtu edhe në veri të Sirisë.
Ora 09:56-Vogëlushi sirian i bllokuar nën rrënoja, shpëtimtarët i japin ujë me tapën e shishes
Teksa numri i viktimave fatkeqësisht vjen e rritet, ekipet e kërkim-shpëtimit po punojnë për nxjerrjen e personave të tjerë nga rrënojat në Turqi e Sirinë veriore.
Të vështira e të dhimbshme janë momentet kur njerëzit kanë ngecur nën rrënojat që shkaktoi tërmeti i fuqishëm dhe anëtarë të ekipit mundohen t’u japin shpresë se do t’i shpëtojnë pa asnjë lëndim.
Një djalë 2 vjeçar sirian i quajtur Muhammed është bllokuar nën rrënoja për 45 orë në Hatay. Në videon që mediat e huaja kanë publikuar shihet se si vogëlushit po i japin ujë me një tapë shisheje. Mohummad u nxorr nga rrënojat me shëndet të plotë pas shumë përpjekjeve.
Ora 09:37-Momenti emocionues kur një familje prej 6 anëtarësh shpëtohet në Siri (Video)
Një familje e përbërë prej 6 personash është shpëtuar nga rrënojat në Idlib të Sirisë.
Mediat e huaja kanë publikuar momentin kur familja nxirret shëndosh e mirë nga rrënojat që shkaktoi tërmeti i 6 Janarit ndërsa turma shpërthen në brohoritje. Ata u dërguan menjëherë me ambulancë për në spital për të marrë kujdes shëndetësor.
Numri i të vdekurve në total në Turqi e Siri ka shkuar mbi 9500 ndërsa autoritetet paralajmërojnë se numri mund të rritet. Ekipet e shpëtimit vijojnë intensivisht kërkimet për të mbijetuar në jug të Turqisë dhe në veri të Sirisë, pas dy tërmeteve të fuqishme të së hënës.
Ora 09:26-Siria në kolaps, UNICEF nuk dërgon dot ndihma prej rrugëve të dëmtuara
Teksa shumë ndihma dhe ekipe të kërkim-shpëtimit kanë mbërritur në Turqi pas tërmetit tragjik të së hënës, në Siri dhënia e ndihmës është shumë më e vështirë.
Këshilltarja e lartë e UNICEF Melinda Young thotë se dërgimi i ndihmave në veri të Sirisë është shumë i vështirë. Sipas saj, rrugët e dëmtuara kryesisht në pikën kryesore kufitare e vështirësojnë dërgimin e ndihmave nga Turqia për organizatat që punojnë në Siri.
Young shton po ashtu se shumë sisteme të ujit janë dëmtuar rëndë dhe se furnizimi tashmë duhet të kryhet me kamionë derisa të riparohen sistemet. Situatë kjo që sipas këshilltares, mund të zgjasë të paktën 6 muaj.
Ajo thekson se fëmijët janë ata që po vuajnë më së shumti atje, nisur që nga shpërthimi i kolerës Shtatorin e kaluar, kolapsi ekonomik i vendit, mungesa e ujit dhe tashmë tërmeti.
Ora 09:20-Mbërrin në Turqi grupi i dytë i shpëtimit nga Shqipëria
Ka mbërritur në Turqi grupi i dytë i efektivëve të Forcave të Armatosura, pjesë e skuadrës së kërkim shpëtimit pas tërmetit katastrofik të 6 Shkurtit.
Kryeministri Edi Rama njoftoi se efektivët e ushtrisë shqiptare kanë mbërritur gjatë ditës së sotme ndërsa ka shpërndarë edhe disa foto nga zbritja e tyre në aeroport.
“Sapo mbërriti në Stamboll edhe grupi i dytë i efektivëve të Forcave të Armatosura pjesë e skuadrës së kërkim – shpëtimit”, njoftoi Rama.
Kujtojmë që në Turqi ka shkuar më herët një grup tjetër i skuadrës shqiptare të kërkim shpëtimit, të cilët prej paradites së djeshme janë vendosur në Malatya.
Koloneli Elton Reso, i cili është komandanti i efektivëve të misionit të Forcave të Armatosura në ndihmë të popullit turk, ka treguar një ditë më parë se ekipi shqiptar shpëtoi nga rrënojat një fëmijë 4-vjeçar.
Ora 09:10-Erdogan viziton sot zonat e prekura nga tërmeti
Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan pritet që të vizitojë zonat e prekura nga tërmeti i fuqishëm i së hënës, në një kohë kur ekipet e shpëtimit vijojnë misionin e tyre për të nxjerrë njerëzit e zënë nën rrënoja.
Erdogan pritet që të vizitojë edhe qytetin e Kahramanmaraş si dhe provincën e Hatay, që ndodhen pranë epiqendrës së tërmetit me magnitudë 7.8.
Një ditë më parë, kreu i shtetit turk shpalli 3 muaj gjendje emergjence kombëtare në 10 provincat e prekura.
Ora 09:04-Vogëlushja mbron me trup të vëllanë, shpëtohen 36 orë pas tërmetit dy fëmijët në Siri
Dy fëmijë janë nxjerrë shëndosh e mirë nga rrënojat, 36 orë pas tërmetit të së hënës në Sirinë veriore.
Mediat e huaja shkruajnë se dy fëmijët ishin bllokuar në mbetjet e shtëpisë së tyre. Pamjet e dy të vegjëlve duke shtrënguar njëri-tjetrin u bënë virale në rrjet, teksa vajza e vogël e quajtur Miriam përkedhelte të vëllain dhe i mbulonte fytyrën me krah në mënyrë që ta mbronte nga pluhuri.
“Më largoni nga këtu, unë do të bëj gjithçka për ju“, dëgjohet teksa u thotë vogëlushja ekipit të shpëtimit. Vëllai i saj quhet Ilaaf, emër islamik që sipas babait të tyre Mustafa Zuhir Al-Sayed përkthehet ‘mbrojtje’.
Mustafa thotë se ai me gruan dhe 3 fëmijët po flinin në momentin që tërmeti i fuqishëm goditi zonën. “Ndjemë tokën teksa dridhej, filluan të na binin gjërat mbi kokë”, tha ai.
I ngecur nën rrënoja, Al-Sayed tha se familja e tij recitoi Kuranin dhe u lut me zë të lartë që dikush t’i gjente.
“Njerëzit na dëgjuan dhe ne u shpëtuam, unë, gruaja ime dhe fëmijët. Faleminderit Zotit, të gjithë jemi gjallë dhe falënderojmë ata që na shpëtuan”, tha ai.
Pas shpëtimit të Miriam dhe Ilaaf banorë të zonës kanë brohoritur nga gëzimi, ndërsa fëmijët u dërguan në spital ku do të marrin kujdesin shëndetësor.
Shtëpia e Al-Sayed ndodhet në provincën e Idlibit, një zonë e kontrolluar nga rebelët në Sirinë veriore, ku sipas Mbrojtjes Civile Siriane kanë vdekur të paktën 1,220 njerëz.
Numri i përgjithshëm i të vdekurve nga tërmeti që preku Turqinë dhe Sirinë është tani më shumë se 8,000, një numër që sipas agjencive të ndihmës ka gjasa të rritet.
Ora 08:52-Ekipet e shpëtimit vijojnë kërkimet mes motit të acartë
Ekipet e shpëtimit po kërkojnë me dëshpërim për të mbijetuar nën rrënojat e godinave të shkatërruara në Turqinë jugore dhe në veri të Sirisë pas dy tërmeteve të mëdha të hënën. Mbi 8700 persona kanë humbur jetën në të dy vendet e prekura.
Të paktën 6,234 viktima janë raportuar në Turqi, ndërsa 2,530 njerëz kanë humbur jetën në Siri, por ka paralajmërime se numri i të vdekurve mund të vazhdojë të rritet.
Më shumë se 8,000 njerëz janë nxjerrë nga rrënojat në Turqi, ndërsa rreth 380,000 janë strehuar në strehimoret apo hotelet qeveritare, thanë autoritetet.
Ministri turk i Shëndetësisë tha se 1,647 njerëz u vranë vetëm në Hatay, që është edhe zona më e prekur se çdo provincë turke.
Numri i personave të plagosur ka shkuar në rreth 40 mijë. Autoritetet turke thonë se rreth 13.5 milionë njerëz janë prekur në një zonë që shtrihet afërsisht 450 km.
Ndërsa përpjekjet e kërkimit vazhduan edhe gjatë natës së dytë në një mot tejet të ftohtë, ekipet e kërkim shpëtimit janë duke sfiduar kohën për të gjetur të mbijetuar, gjë që me kalimin e orëve bëhet edhe më e vështirë.
Mijëra ndërtesa u shembën në Turqi dhe Siri, ndërsa agjencitë e ndihmës po paralajmërojnë për pasoja “katastrofike” në veriperëndim të Sirisë. Imazhet satelitore tregojnë shkallën e dëmeve në qytetet turke.
Më shumë se 70 vende kanë ofruar ekipe shpëtimi dhe ndihma të tjera. Organizata Botërore e Shëndetësisë vlerëson se deri në 23 milionë njerëz mund të preken nga tërmeti.
Ora 08:38-Shpëtuan nga tërmeti në Turqi, kthehet në Kosovë ekipi i mundjes
Ekipi i të rinjve për mundje në Kosovë i ka shpëtuar tërmetit në Turqi. Ata tashmë janë kthyer në atdhe. Kështu bën të ditur Komiteti Olimpik i Kosovës.
“Ekipi ynë ndodhej në qytetin Kahramanmaras, ku ndodhi tërmeti i fuqishëm që goditi Turqinë”, thuhet në njoftimin e publikuar nga KOK.
Gjashtë anëtarët e ekipit po merrnin pjesë në turneun “12 February”, ndërsa fatmirësisht kishin shpëtuar pa lëndime përkundër dëmtimeve të hotelit ku po qëndronin, derisa ndërtesat dhe hotelet përreth ishin rrënuar.
Tërmeti i shkallës 7.8 ballë e ka goditur Turqinë dhe Sirinë orët e para të së hënës. Si pasojë e këtij tërmeti kanë vdekur mbi 8 mijë persona.