Më mirë për Tetovën: Letër e hapur për kryetarin e shtetit Pendarovski

Më mirë për Tetovën i ka dërguar një letër presidentit të vendit Stevo Pendarovski duke i kërkuar që të kërkoj përgjegjësi institucionale dhe të ndëshkohet krimi i organizuar brenda institucioneve, përcjellë Klan M.

Ja letra e plotë:

”I nderuari President i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski,

Me zhgënjim të thellë e ndjekim heshtjen tuaj për tre javë që nga publikimi i  veprës monstruoze të Prokurorisë Publike për fshehjen dhe shtrembërimin e së vërtetës dhe fajtorët për zjarrin në spitalin modular në Tetovë ku 14 persona, bashkëqytetarë tanë, u dogjën të gjallë. Është gjithashtu befasues edhe fakti që Ju reagoni shpejt ndaj temave të tjera më pak të rëndësishme në krahasim me këtë tragjedi.

Siç e dini, në vendin tonë kanë ndodhur 4 tragjedi të mëdha në një periudhë 5-vjeçare, me 97 viktima dhe ZERO ditë burg.

Të gjithë politikanët flasin për integrimin në BE, por ajo që është më e shenjtë për ne – jeta njerëzore – nuk respektohet! Nuk e dimë se si një vend që nuk mund të sigurojë drejtësi për këto 97 viktima të pafajshme, mund të nisë negociata për t’iu bashkuar vlerave dhe parimeve evropiane.

Gjyqësori dhe prokuroria janë fytyra e krimit të organizuar dhe korrupsionit, mbrojtës të së keqes në këto 30 vite, që për brezat e rinj dhe bashkëqytetarët tanë i hodhën në humnerrë dhe shkatërruan perspektivat e tyre për një jetë dinjitoze.

Sot po ballafaqohemi me diktaturën e oligarkisë të mbështetur nga sistemi i drejtësisë maqedonase. Papërgjegjësi totale dhe sundim kriminal si në pushtetin ekzekutiv ashtu edhe në atë gjyqësor.

Presim që të thireni në arsye dhe të kërkoni përgjegjësi institucionale për ndëshkimin e krimi të organizuar brenda institucionedve, për të cilën i gjithë sistemi juridik në vendin tonë është në një qorrsokak të madh. Përfshirja edhe e institucioneve të arsimit të lartë për të fshehur të vërtetën e këtij krimi dhe anashkalimi i ekspertizës gjermane është një mesazh i keq për të ardhmen e shoqërisë në këtë vend.

Kultura e panndëshkueshmërisë ka metastazuar në të gjitha nivelet e sistemit dhe nuk e dimë se cila onkologji mund ta shërojë Maqedoninë e sëmurë nga ky kancer.

Kërkojmë përgjegjësi! Pa drejtësi, nuk ka qetësi!” – thuhet në letrën e dërguar nga Më mirë për Tetovën, presidentit Pendarovski. /KlanMacedonia/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share