“Më mirë në burg se sa të luftoj në Ukrainë”, mekaniku rus refuzon të mobilizohet

Ditët e fundit, televizioni shtetëror rus ka transmetuar imazhe të burrave të mobilizuar që i nënshtrohen stërvitjes në Rusi. Këtë javë presidenti Putin u shfaq duke takuar ushtarët e mobilizuar në një terren stërvitor në rajonin e Ryazanit, një përpjekje për të mbledhur mbështetjen e publikut për të realizuar mobilizimin ushtarak. Në muajin Mars Vladimir Putin kishte deklaruar se nuk do të kishte mobilizim të qytetarëve të thjeshtë dhe se vetëm ushtarët profesionist do të merrnin pjesë në “operacionin e tij special luftarak”

Por duket se gjithçka ndryshoi dhe ai bëri thirrjen për “mobilizim të pjesshëm”. Me thirrjen e qindra mijëra rezervistëve rusë, lufta në Ukrainë u bë shumë më reale për publikun rus. Papritur, bashkëshortët, baballarët dhe djemtë po thirreshin në ushtri dhe po dërgoheshin në vijën e parë të frontit duke mos pasur as mjetet dhe as trajnimet e duhura. Prej javësh, rusët e mobilizuar kanë postuar video në rrjetet sociale, në të cilat ankohen për kushtet e këqija dhe mungesën e burimeve.

Për shkak të këtij mobilizimi në qytetin e Podporozhy, diku te 500 milje larg nga Moska, ushtarakët zyrtarë janë takuar për të vendosur nëse rezidenti Mikhail Ashichev duhet të mobilizohet dhe të shkojë të luftojë në Ukrainë.

“Unë nuk jam pacifist. Nëse një vend tjetër do të përpiqej të pushtonte atdheun tim ose të kryente agresion kundër Rusisë, do të shkoja menjëherë në zyrën e regjistrimit ushtarak dhe do kërkoja të regjistrohesha. Nuk do prisja sa të më thërrisnin. Por në këtë rast besoj se nuk ka një rrezik të tillë ushtarak për atdheun tim”, tha Mikhail.

Mikhail është 34 vjeç dhe ka profesionin e mekanikut. Pavarësisht se Rusia po bëhet një shtet gjithnjë e më autoritar, në të cilin të drejtat civile dhe të njeriut janë kufizuar, Mikhail argumenton se kushtetuta ruse i jep atij të drejtën të kundërshtojë. Ai refuzon të luftojë në Ukrainë.

Refuzimin e tij ai e ka bërë publik me anë të një video gjatë realizimit të së cilës ai tregon se është ndier shumë nervoz.

“Në kohën kur po i thosha ato gjëra, isha shumë nervoz, por kur pashë videon pashë frikë në sytë e njerëzve që më dëgjonin. Mendoj se kjo ndodh ngaqë ata janë janë mësuar t’i trajtojnë njerëzit si objekte të cilat mud t’i lëvizin sa në një vend në tjetrin. Dhe papritur dola unë, që thashë, ato që thashë. Pas kësaj më këcënuan. Thanë se do i tregonin policisë dhe se ata do të hetonin. Besoj se këta njerëz janë të tmerruar dhe po e humbasin kontrollin. Që kur filloi të flitej për mobilizim unë vendosa me familjen time se nëse një situatë e tillë do të vinte unë do refuzoja të shkoja në luftë e nëse do më duhet të zgjidhja mes luftës dhe burgut, do zgjidhja burgun. Ne e dimë, në Ukrainë njerëzit po vdesin nën rrënoja dhe prindërit po varrosin fëmijët e tyre”, tha mekaniku 34-vjeçar.

Sipas BBC, pas refuzimit të tij për të luftuar, Mikhail është përballur me fyerje nga komentues të ndryshëm në mediat sociale ruse. E ndërsa disa të tjerë e kanë përkrahur.

“Ai është një frikacak, një mi që ikën nga anija”. Një njeri që e bën këtë nuk mund ta quajë veten burrë”. Këto janë disa nga komentet negative me të cilat Mikhail është përballur duke u shprehur se nuk do të luftojë në Ukrainë.

“Refuzimi i vrasjes është njerëzor dhe i guximshëm”. Ky është komenti i dikujt i cili e përkrah qëndrimin e mekanikut, ndërkohë që një tjetër i shkruan: “Njeri i mirë. Nuk po fshihesh apo ikësh. Po bën pyetjen e duhur: kush po planifikonte të na sulmonte në të vërtetë përpara 24 Shkurtit?” /tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share