Me mijëra protestojnë kundër rezultatit zgjedhor në Serbi

Mijëra mbështetës të opozitës kanë marshuar të martën në kryeqytetin e Serbisë, Beograd, në një protestë kundër qeverisë, duke kërkuar anulimin e zgjedhjeve të muajit të kaluar. Ai proces zgjedhor është përshkruar si jo i drejtë, sipas vëzhguesve ndërkombëtarë.

Partia në pushtet, Partia Përparimtare Serbe (SNS) ka fituar 46.72 për qind të votave në zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe lokale.

Mirëpo, një mision ndërkombëtar vëzhgimi ka thënë se SNS-ja ka siguruar avantazh të padrejtë përmes paragjykimeve mediale, ndikimit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiç dhe parregullsive zgjedhore, përfshirë blerjen e votës. Vuçiç dhe aleatët kanë thënë se zgjedhjet janë qenë të drejta.

Marshi është organizuar edhe për të shënuar përvjetorin e gjashtë të vrasjes së Oliver Ivanoviçit, politikanit serb të Kosovës. Ivanoviç është vrarë para zyrës së partisë së tij, më 2018, në Mitrovicë të Veriut. Hetimet për vrasjen e Ivanoviqit janë duke vazhduar në Kosovë dhe Serbi.

Në një adresim para turmës, Marinika Tepiç, lidere e aleancës Serbia kundër Dhunës (SPN), e cila ka dalë e dyta në zgjedhje, ka thënë se opozita vazhdon të jetë e vendosur për të kontestuar rezultatin zgjedhor.

“I gjithë planeti e di, e kemi zënë atë [Vuçiçin], i cili nuk guxon të dalë para popullit të vet”, ka thënë Tepiç, e cila javën e kaluar ka hyrë në grevë dyjavore për të protestuar rezultatin zgjedhor.

Opozita ka thënë se dëshiron që të anulohen edhe zgjedhjet në Beograd. Të hënën, Millosh Vuçeviç, udhëheqës në SNS, ka thënë se votimet në Beograd mund të përsëriten, nëse askush nuk arrin të krijojë koalicion dhe të sigurojë shumicën në kuvendin komunal.

Me një popullsi prej 1.4 milion banorëve, Beogradi përbën rreth një të katërtën e elektoratit në Serbi dhe udhëheqësi i kryeqytetit konsiderohet si një prej zyrtarëve më me ndikim në shtet./REL

Lexo gjithashtu
Total
0
Share