Me makinë me 3 automatikë e pistoletë drejt Greqisë, policia i ndalon dhe…

Dy persona ranë në prangat e Policisë Kufitare në Kapshticë pasi tentuan të kalonin armë e municione me makinë drejt Greqisë. Në një njoftim për mediat, policia thotë se në pranga ranë Xh. H., 41 vjeç (i dënuar më parë për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”) dhe M. V., 40 vjeç, të dy banues në Tiranë.

“Në bazë të analizës së riskut shërbimet e Policisë Kufitare përzgjodhën për kontroll në vijë të dytë automjetin tip “Benz” me drejtues shtetasin Xh. H. dhe pasagjer 40-vjeçarin. Gjatë kontrollit me skaner u krijuan dyshime se në sediljen e prapme të automjetit ishin fshehur sende të kundërligjshme dhe për këtë arsye efektivët e policisë ushtruan kontroll më të detajuar ku gjetën 3 armë zjarri automatik, 1 pistoletë, 5 krehra me fishekë dhe një sasi municioni luftarak, të cilat së bashku me automjetin u sekuestruan në cilësinë e provës materiale”, thuhet në një njoftim për mediat.

Autoritetet vijojnë punën për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe vënien para përgjegjësisë penale të personave të tjerë të implikuar në këtë aktivitet kriminal./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share