HISTORIANËT NGA EKIPI MAQEDONAS TË PAKËNAQUR NGA GAZETARËT
Ekipi maqedonas në Komisionin e përbashkët historik me Bullgarinë ka reaguar se mediat në mënyrë të gabuar informojnë për dallimet më të reja me kolegët e tyre nga Sofja, rreth asaj si të prezantohet historia e Arqipeshvisë së Ohrit të librat e historisë për nxënësit e shkollave fillore në të dyja vendet. Nga ana tjetër, mediat bullgare përcjellin një pjesë të qëndrimeve historike se edhe Arqipeshkvia e Ohrit, e cila në Maqedoninë e Veriut llogaritet si “nëna e Kishës Ortodokse Maqedonase”, ka qenë bullgare.
Ekipi maqedonas nga Komisioni dypalësh historik me Bullgarinë, sot e ka drejtuar gishtin kah gazetarët, me pohimin se raportimi në mediat vendase për pikën më të re të mospajtimit me kolegët e tyre nga Sofja, paraqet “manipulim me konkluzione paushalle, se në mënyrë të vetëdijshme krijohen probleme inekzistente dhe kërcënime të imagjinuara për identitetin maqedonas, se bëhet instrumentalizim mi temës me qëllime politike.
“Objekt i punës së Komisionit janë çështjet për prezantimin e historisë së Arqipeshkvisë së Ohrit në librat e historisë për arsim fillor në të dyja vendet, roli i saj dhe rëndësia për krishterimin dhe shkrimin e letërsinë sllave dhe jo çështjet kishtare – teologjike ose vërtetimi i statusit të KOM-AO, ose definimi i saj në kuptim kombëtar” – thonë nga ekipi maqedonas në komisionin dypalësh.
Të premten në mbrëmje, pas përfundimit të takimit të 22-të të Komisionit dypalësh, bashkëkryesuesi i palës maqedonase Dragi Gjorgjiev sqaroi se takimi ka qenë i vështirë , me qasje të ndryshme në interpretimin e historisë së mesjetës.
“Këtu bëhet fjalë për rekomandime për libra me të cilat duhet të tejkalohen disa keqkuptime, në mënyrë që të përmirësohen librat në të dyja shtetet dhe jo të arrihet ndonjë lloj pajtueshmërie në mes historiografëve në Maqedoninë e Veriut dhe në Bullgari . Këtu lind konflikti rreth të cilit nuk mund të kuptohemi dhe ta tejkalojmë” – deklaroi Dragi Gjorgjiev, historian.
Në Bullgarinë fqinje mediat dhe analistët vazhdojnë me të njëjtin avaz si me figurat dhe ngjarjet tjera historike, për të cilat Sofja dhe Shkupi nuk arrijnë të gjejnë bazë të përbashkët, duke i përvetësuar si bullgare.
“Arqipeshkvia e Ohrit është krijuar nga perandori Vasilij i Dyti Vrasës i Bullgarëve, pas rënies së Bullgarisë së Samoilit nën pushtetin e Bizantit në vitin 1018. Të gjitha burimet historike dëshmojnë se besimtarët e saj kanë qenë kryesisht bullgarë. Burimet nga ajo epokë flasin për Bullgarët, nuk ka pasur kurrëfarë Maqedonas” – Hristo Matanov, historian, Bullgari, BGNES.
Ky është qëndrimi dominues i historianëve nga Bullgaria për pothuajse secilën ngjarje ose figurë nga e kaluara për të cilat edhe Maqedonasit thonë se është pjesë e historisë dhe kulturës së tyre. Se pengesa të ngjajshme në Komisionin e përbashkët historik do të ketë edhe më tej thuajse nuk ka dyshim, por shqetësimi i palës maqedonase është se nëse dhe sa këto dallime do të imponohen si pengesa të reja gjatë negociatave aderuese të vendit me BE-në, nën supozimin se kushti i parë – ndryshime kushtetuese për përfshirjen e Bullgarëve në mesin e bashkësive që e formojnë Maqedoninë e Veriut, vitin e ardhshëm, do të plotësohet. /KlanMacedonia/
PËRGATITI: BILJANA GEORGIEVSKA