Protesta e nisur para Qeverisë së Maqedonisë së Veriut përfundoi para objektit të Prokurorisë Themelore Publike, ndërsa është paralajmëruar protestë tjetër për javën e ardhshme në të njejtin orar, përcjell KlanM.
Disa nga protestuesit në vijën e parë dolën përpara turmës dhe hodhën vezë drejt ndërtesës së Prokurorisë, në shenjë proteste për vjedhjen e ilaçeve në Klinikën e Onkologjisë.
“Sa vlen jeta njerëzore”, “Vrasës”, “Përbindësha”, “Ju vrisni për përfitim”, “Të gjithë do të shtriheni” – ishin disa nga parullat e protestës së sotme, ndërsa me ngjyrë të kuqe para qeverisë u shënua “vrasës” e para prokurorisë “bashkëpunëtorë”.
Protestuesve iu drjejtuan disa persona që kanë humbur familjarët nga kanceri, duke e drejtuar zemërimin e tyre në sistemin shëndetësor të Maqedonisë.
Ndonëse në njoftimin e organizatorëve thuhej se protestuesit do të protestojnë para Qeverisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë, tubimi nga godina e qeverisë ka përfunduar para Prokurorisë.
Një tjetër protestë është planifikuar për javën e ardhshme, në të njëjtën orë.
Qytetarët dolën në rrugë pas zbulimit të skandalit në Klinikën e Onkologjisë, ku sipas raportimeve, pacientëve të sëmurë me kancer iu është dhënë solucion fiziologjik apo terapi gjysmake. Ilaçet e shtrenjta nga ana tjetër janë shitur në treg të zi./KlanMacedonia