Sali Berisha paralajmëroi se në Tetor do të nisë gjykimi për bashkimin e dy çështjeve ndaj zyrtarit të lartë të FBI-së, McGonigal, nga e cila tha se rrezikon përballjen me drejtësinë amerikane edhe Kryeministri Edi Rama.
“Është kërkuar një vendim për bashkimin e çështjeve, dhe ky vendim është miratuar. Global Resolution quhet, ç’ka do të thotë: se vepra penale e Edi Ramës mund të kalojë pa asnjë lloj vështirësie nga ryshfet dhe korruptim të zyrtarit më të lartë të kundërzbulimit në detyrë, mund të kalojë në lidhjen ruse. Dhe ky është një lajm, natyrisht, tmerrësisht i zi për Ramën, ndonëse edhe me të pari nuk ka forcë që e shpëton, ndaj edhe vërtitet. Është caktuar tetoi si një datë në të cilën hapen të dhënat dhe hiqet peta e lakrorit. Edi Rama pra, ulet në krah të McGonigal për të dëshmuar për lidhjet e tij të zeza.”
Krahas akuzave në adresë të Kryeministrit, lideri historik i demokratëve ftoi SPAK-un të hetojë lidhjet e ish-Kryebashkiakut të Kukësit Safet Gjici me Taulant Ballën.
“I bëj thirrje SKAP-it të partisë të marrë çdo komunikim të Taulant Ballës gjatë viteve të fundit me Gjicin e Edi Ramës. Bëj thirrje të marrë në GPS të gjitha takimet dhe spostimet e tyre. I bëj thirrje të hetojë çdo tender të fituar nga Gjici nga 100 milionë euro, sepse lajmet gumëzhijnë, sepse flitet shumë që këta qenkan të lidhur si mishi me thoin, Taulanti me Safet Gjicin. Dikush thotë në bixhoz, dikush thotë në afera tjera. Unë nuk i di, por di këtë që, edhe i ftoj të bëjë një hetim të plotë në mënyrë që të kuptojnë si ranë nga qielli 100 milionë euro tek përfaqësuesi dinjitoz i Edi Ramës, Safet Gjici.”
I pyetur në lidhje me ripërsëritjen e zgjedhjeve në Rrogozhinë, Berisha e cilësoi absurd vendimin e Kolegjit Zgjedhor, teksa tha se gjykata duhet të kishte shpallur fitues kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë”.
Tv Klan