Sipas Këshillit të Lartë Zgjedhor të Turqisë, rezultatet për të dy kandidatët kryesorë mbetën pak nën kufirin prej 50 për qind, pasi u hapën të gjitha kutitë e votimit, shkruan CNN Turk.
Presidenti Recep Tayyip Erdogan udhëheq me 49.5 për qind të votave, ndërsa kandidati i opozitës së bashkuar Kemal Kılıçdaroğlu ka arritur të ngushtojë rezultatin në 44.89 për qind.
I treti renditet kandidati Sinan Ogan, me 5.17 për qind të votave.
Ky rezultat e dërgon presidentin turk në balotazh me kandidatin e opozitës së bashkuar.
Muharrem Ince dhe pse tashmë është i tërhequr, ka marrë 0.44 për qind të votave.
Sa i takon partive, ajo e Erdogan AKP-ja ka marrë 35.58 për qind.
Ndërkaq partia e CHP-ja ka marrë 25.33 për qind, por Aleanca Popullore në pushtet, e cila përfshin AKP-në dhe disa parti të tjera më të vogla, mbajti pak më shumë se 50 për qind të votave.
Rezultati më i qartë i zgjedhjeve turke është ngritja e nacionalistëve. Ndryshe nga sa pritej, MHP, aleati i AKP-së, rriti votat e saj.
Një tjetër nacionalist Sinan Oğan, me politikën e tij kundër refugjatëve, gjithashtu mori më shumë vota sesa pritej në garën presidenciale.
Plani i Kılıçdaroğlu për të fituar zgjedhjet me HDP-në dhe qëndrimin e Erdogan-it për refugjatët ka çuar në një rritje të nacionalizmit.
Me zgjedhjet që shkojnë në raundin e dytë, mbështetësit e Ogan-it kanë më shumë gjasa të kthehen drejt Erdogan-it për shkak të marrëdhënies së Kiliçdaroglu me HDP.
Kujtojmë që Turqia mban zgjedhje çdo pesë vjet.
Kandidatët presidencialë mund të propozohen nga partitë që kanë kaluar pragun prej 5% të votuesve në zgjedhjet e fundit parlamentare, ose ato që kanë mbledhur të paktën 100 mijë nënshkrime në mbështetje të nominimit të tyre.
Kandidati që merr më shumë se 50% të votave në raundin e parë zgjidhet president, por nëse asnjë kandidat nuk merr shumicën e votave, zgjedhjet kalojnë në një raund të dytë midis dy kandidatëve që kanë marrë numrin më të madh të votave në raundin e parë.
Zgjedhjet parlamentare zhvillohen në të njëjtën kohë me zgjedhjet presidenciale.
Turqia ndjek një sistem të përfaqësimit proporcional në parlament ku numri i vendeve që merr një parti në legjislaturën prej 600 vendesh është drejtpërdrejt proporcional me votat që ajo fiton.
Partitë duhet të marrin jo më pak se 7% të votave – qoftë vetë ose në aleancë me partitë e tjera – për të hyrë në parlament.
Të dielën, kandidatët hodhën votat e tyre për të dyja zgjedhjet në të njëjtën kohë.
Votimi i dytë presidencial do të mbahet më 28 maj.