Ky është reagimi i parë i monarkut 75-vjeçar që pas lajmit mbi sëmundjen
Mbreti Charles ka folur për herë të parë që kur Pallati Buckingham njoftoi se ai ishte diagnostikuar me një formë të kancerit e cila ende nuk është bërë e ditur për publikun.
Në një deklaratë të lëshuar të shtunën, monarku 75-vjeçar falënderoi publikun për mbështetjen që mori pas lajmeve lidhur me problemet e tij shëndetësore.
“Dëshiroj të shpreh falënderimet e mia më të përzemërta për mesazhet e shumta të mbështetjes dhe urimet e mira që kam marrë ditët e fundit. Ashtu si të gjithë ata që janë prekur nga kanceri, e dinë se mendime të tilla dashamirëse janë ngushëllimi dhe inkurajimi më i madh”, thuhet në letër.
Sëmundja është kapur që në fazat e para ndaj edhe ky fakt jep shpresë që monarku 75-vjeçar do të shërohet shpejt. Ai ka hequr dorë përkohësisht nga disa angazhime publike, deri në përfundimin e trajtimeve të nisura.
Klan News