Mblidhet Kuvendi i PD, Berisha votëbesohet si kryetar

Pa asnjë surprizë dhe i vetëm në garë Sali Berisha është rizgjedhur kryetar i Partisë Demokratike nga Kuvendi Kombëtar.Ish-kryeministri kërkoi votëbesimin e demokratëve pas disfatës në zgjedhjet lokale të 14 Majit, ku opozita arriti të marrë vetëm 7 bashki, kundrejt 54 që fituan socialistët.

“Numri i votuesve që kanë votuar është 1000, kanë votuar pro 938 delegatë, kanë votuar kundër 55 delegatë, 7 vota të pavlefshme.”

Për herë të parë krah liderit historik të demokratëve krahas bashkëshortes së tij në punimet e Kuvendit ishte edhe e bija, Argita Malltezi. Përpara demokratëve që e mbështesin, ish-kryeministri foli për një aksion pa kthim, gjerë në fitore me atë që e cilësoi narkoregjim të Edi Ramës.

“Narko regjmi i Edi Ramës do zgjojë luanin e fjetur tek shqiptarët sepse kjo nuk është një betejë politike, por një luftë për ekzistencën e kombit shqiptar.”

Kundërshtarin e tij politik e akuzoi se në një dekadë qeverisje rilindi diktaturën, minoi demokracinë dhe pluralizmin në vend duke rikthyer burgosjet politike të opozitës.

“Nga dita që unë refuzova bashkëqeverisjen me Ramën që m’u propozua nga kryekëshilltarët e Bashës, unë u ktheva në një non-grata dhe sot kam një dhëndër të burgosur politik.”

Ndonëse arriti t’i bëjë bashkë në parlament, deputetët e grupit parlamentar të Gazment Bardhit, këta të fundit nuk iu bashkuan punimeve të Kuvendit Kombëtar. Megjithatë Berisha i falenderoi për nisjen e mosbindjes civile kundër Edi Ramës.

“Ne ia dolëm, e shpëtuam opozitën, e shpëtuam parlamentin. Grupi ynë parlamentar, dhe i përshëndes deputetët kudo që janë, në këtë sallë dhe kudo që ndodhen, me mosbindje civile, e zhyti në ilegalitet parlamentin e krimit, parlamentin e diktaturës, parlamentin e narkoshtetit.”

Me të njëjtin motiv ftoi që betejës pa kthim që pritet të zhvendoset edhe në sheshe t’i bashkohen jo vetëm demokratët dhe opozitarët.

“Anëtarë të PD mos prisni gjithçka në parlament nga deputetët. Ju bëj thirrje shqiptarëve dhe demokratëve të bashkohen në misionin pa kthim në mosbindje civile, ne do fitojmë.”

I bindur në fitore, Berisha tha se opozita do e çojë vendin drejt një qeverie teknike.

“Kush del fitimtar një luan i zgjuar apo një grusht çakenjsh e hienash që presin t’ia mbathin sa më parë? Ne do fitojmë. Do fitojmë me mosbindje civile që është tmerri i gjithë diktatorëve. Pasi të fitojmë betejën do të rikthejmë votën e lirë shqiptarëve. Rikthimi i votës së lirisë ka si kusht përmbysjen e diktaturës së bandave, krijimin e një qeverie teknike për organizimin e zgjedhjeve të lira për shqiptarët”.

Fjalën e tij përpara 1203 delegatëve e mbylli me një batutë duke kujtuar një episode kur në kuvendin e dy viteve më parë u rrëzua në podium.

“Prapë i paskan lënë edhe disa shkallë këtu, por Sali Berisha nuk rrëzohet kurrë më.”

Kuvendi Kombëtar i cili u përshëndet edhe nga deputetë të Forza Italias miratoi një rezolutë ku i bëhet thirrje qytetarëve të bashkohen në një front të vetëm për të ndërmarrë të gjitha sakrificat që dikton koha. Gjithashtu u votua edhe një ndryshim në nenin 63 të statutit, ku në raste të veçanta, me propozim të Kryesisë së Partisë ose të një të katërtës së anëtarëve të Këshillit Kombëtar, ky i fundit mund të miratojë ndryshime statutore, të cilat hyjnë menjëherë në fuqi dhe janë ekzekutive.

Tv Klan

Lexo gjithashtu
Total
0
Share