VMRO-DPMNE-ja dhe LSDM-ja janë unifikuar për të cënuar vullnetin e shprehur të qytetarëve në zgjedhje dhe për të ndryshuar raportet e forcave politike në Kuvend.
Në këtë mënyrë kreu i BDI-së i ka komentuar vendimet e Gjykatës Administrative për të hedhur poshtë 7 paditë e Frontit Evropian, lidhur me vendimet e KSHZ-së për rivotime në vendvotimet e kontestuara.
Lideri I BDI-së, Ali Ahmeti, druan se kjo mund të përkeqësojë raportet ndëretnike në vend.
“Është krijuar një unifikim i partive më të mëdha të komunitetit maqedonas, që fatkeqësisht ky unifikim I këtyre politikave druaj se do të ndikojë edhe në marrëdhëniet ndëretnike që ne nuk I dëshirojmë”, tha Ali Ahmeti.
Por, sipas Ahmetit, përsëritja e votimeve në një Komunë shqiptare mund të cënojë raportet midis partive shqiptare. Ahmeti thotë se prapavija e këtyre veprimeve është shumë e rrezikshme.
“Kjo përsëritje që bëhet, bëhet edhe me një prapavijë më të rrezikshme, për të na futur neve shqiptarëve në vëllavrasje, sic e bënë me një vendvotim në Komunën e Zhelinës. As që e dëshirojmë e as që e kemi dëshiruar”, tha Ahmeti.
Teksa thotë se Fronti Evropian është fituese e zgjedhjeve të 8 majit dhe forca e dytë politike në vend, Ali Ahmeti thotë se në detaje ka njohuri për këto marrëveshje të fshehta, që sipas tij, janë bërë në “bodrume të kuqe”.
“Fitorja e Frontit është vulosur më 8 maj. Të gjitha akrobacionet politike, marrëveshjet e fshehta që bëhen nëpër bodrumet e kuqe, janë të papranueshme dhe të dënueshme.
Ne I dijmë të gjitha në detaje, marrëveshjet nëpër bodrumet e kuqe dhe në të ardhmen do t`i publikojmë”, tha Ahmeti.
Kreu I BDI-së, tha se vendit I duhet kohezion midis shqiptarëve dhe maqedonasve kurse e quajti të papranueshme hapjen e fronteve kundrejt vendeve fqinje – Greqisë dhe Bullgarisë./tvklan.mk