Përndjekja dhe arrestimi i veteranëve të UÇK-së në Maqedoninë e Veriut dhe të mbrohen me vendosmëri të drejtat themelore të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, përfshirë përdorimin e gjuhës shqipe.
Janë këto dy çështje thelbësore, së sipas kreut të PDK-së, Memli Krasniqi, duhet të trajtohen seriozisht në Mbledhjen e Përbashkët të së hënës së Qeverive të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Krasniqi thotë se këto dy çështje nuk janë fare në agjendë.
“Së pari, përndjekja dhe arrestimi i veteranëve të UÇK-së në Maqedoninë e Veriut, siç ndodhi gjatë këtij viti, është i papranueshëm dhe cënon raportet tona ndërshtetërore. Qeveria e Kosovës duhet të kërkojë me këmbëngulje që raste të tilla, të cilat po ndodhin tani me qeverinë e re në Maqedoni të Veriut, të mos përsëriten më. Sot, asnjë veteran i UÇK-së nuk është i sigurt të kaloj kufirin me Maqedoninë e Veriut, për shkak të rrezikut që ky shtet të zbatojë fletë-arrestet e Serbisë kundër luftëtarëve të lirisë” – tha Memli Krasniqi.
Gjatë një takimi me qytetarët e Komunës së Vrapçishtit në kuadër të fushatës së BDI-së me moton “Me Popullin për Evropë”, kreu I integristëve, Ali Ahmeti, u bëri thirrje Prishtinës dhe Tiranës që me angazhimin e tyre, të ndikojnë që të mos cënohet gjuha shqipe.
Kreu I PDK-së, Memli Krasniqi, u ka bërë thirrje Qeverive të Kosovës dhe RMV-së që gjatë seancës së të hënës, sic thotë, të ngrejnë zërin për këtë cështje.
“Së dyti, të drejtat themelore të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, përfshirë përdorimin e gjuhës shqipe, duhet të mbrohen me vendosmëri. Qeveria e Kosovës, e posaçërisht politikanët shqiptarë që janë pjesë e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, duhet të ngrisin zërin dhe të angazhohen që përdorimi i gjuhës shqipe të mos i cënohet askujt dhe askund. Çdo përpjekje për t’i cenuar këto të drejta duhet të ndalet menjëherë” – tha Memli Krasniqi.
Nga koalicioni VLEN njoftuan se në mbledhjen e përbashkët të Qeverive të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, do të nënshkruen tri marrëveshje; Protokolli për pika të përbashkëta kufitare (one stop shop) në Bllacë-Hani i Elezit dhe Jazhincë-Glloboçicë, Marrëveshje energjetike, për shfrytëzimin racional të resurseve natyrore dhe forcimin e sigurisë energjetike dhe Memorandumi për arsim, shkencë dhe inovacion. /tvklan.mk/