Mbledhja e Qeverive Kosovë-RMV! Gjuha shqipe jashtë agjendës, por bëhet temë në Prishtinë!

Kosova dhe Maqedonia e Veriut nuk besojnë se dallimet etnike pa u nxitur nga qarqe të ndryshme politike, mund të sjellin konflikte të reja në Ballkan.

Në kohën kur cënohet cështja e stabilitetit evropian për shkak të agresionit rus ndaj Ukrainës, kjo cështje nuk ishte ndër temat kryesore të seancës së përbashkët qeveritare Kosovë – Maqedoni e Veriut në Prishtinë.

Seanca ndodh në periudhën e tensioneve politike midis VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së, ku janë intensifikuar mesazhet publike sidomos në prag të vendimit të gjykatës kushtetuese lidhur me Gjuhën Shqipe.

I pyetur nga gazetarja e Klan Maqedoni në Prishtinë për cënimin e gjuhës shqipe dhe të drejtave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, Kryeministrit Kurti, tha se nuk është e vërtetë se kërcënohet gjuha shqipe, kurse nuk pati një përgjigje nëse këto shqetësime do t`ia adresojë partnerit shqiptar në Qeverinë Mickoski, koalicionit VLEN.

“Ju e dini që në Kosovë, ndonëse shqiptarë janë rreth 93%, serbë janë 4% dhe serbishtja është gjuhë zyrtare, por në RMV nuk mund të thuhet se na paska qenë shqipja gjuhë zyrtare e tash po rrezikohet, sepse kjo nuk është e vërtetë. Ne dëshirojmë marrëdhënie shumë të mira me RMV-në dhe për këtë do të bashkëpunojmë, por ka edhe organe tjera të pushtetit, në RMV dhe Kosovë, të cilët I marrin vendimet e tyre” , deklaroi Kurti.

Kryeministri Mickoski duke u përgjigjur në të njëjtën pyetje, theksoi se gjykatësit të cilët për momentin janë pjesë të Gjykatës Kushtetuese janë zgjedhur në kohën kur në pushtet kanë qenë LSDM dhe BDI.

“Nuk e di nga ku vjen përshtypja se ne kemi ndikim dhe ndoshta jemi të gjithfuqishëm dhe i kontrollojmë të gjitha partitë politike në Maqedoni, që nuk është kështu. Të gjithë duhet ta dijnë se nga I pari deri te I fundit, Gjykatësit Kushtetues janë zgjedhur në Kuvend kur shumicën e përbënim LSDM-BDI. Por, përse tani aktualizohet kjo cështje? Këtë e bëjnë ata politikanë që paraqesin hije të zeza të së kaluarës, ku nuk I dëgjojma të flasin për reforma ekonomike, sistemin tatimor, arsimin, por gjënë e vetme ku e bazojnë karrierën e tyre janë krimi, korrupsioni dhe konfliktet etnike”, u shpreh Mickoski. 

“Gjuha shqipe është zyrtare, madje edhe shprehimisht e kemi në ligj, ndërsa deklaratat ndryshe nga kjo mund t’i shërbejnë çdokujt, vetëm interesit të shqiptarëve jo”. Kështu shkruan në Facebook, Arbër Ademi i BDI-së, duke e titulluar postimin “Ali Ahmeti është idealist” dhe se, sipas tij, Idealisti dallon nga nihilisti, karrieristi dhe aventuristi.

“Pikërisht termin “gjuha shqipe” dëshiron ta shfuqizojë Gjykata Kushtetuese që kontrollohet nga kjo qeveri pa legjitimitet etnik. Pikërisht për këtë qëllim dhe fshirjen e këtij termi, VMRO-DPMNE ka dorëzuar iniciativë në Kushtetuese në vitin 2019, e tash pritet të pranohet si e bazuar nga institucioni parapolitik” – shkruan Arbër Ademi duke e ilustruar postimin e tij me Nenin 1, 2, 3 dhe 4 të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve.

Por, sipas Zv/Kryeministrit, Izet Mexhiti, shqiptarët nuk duhet të shqetësohen për Gjuhën Shqipe në Maqedoninë e Veriut.

“Ne jemi garant se gjuha shqipe do të avancohet në RMV, ashtu sic gjetëm zgjidhje dhe është formuar grupi i ekspertëve ng partnerët në qeveri të cilët punojnë që “balancuesi” I cili ka qenë vetëm mekanizëm, tash të merr përmasat e zgjidhjes ligjore, ligj I vecantë për përfaqësimin e drejtë dhe adekuat të shqiptarëve në Maqedoni”, deklaroi Mexhiti. 

Bashkëpunimi ekonomik prej gjysmë miliardë eurove midis Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, nënshkrimi i tri protokolleve – për bashkëpunim ekonomik, për pikë të përbashkët kufitare si dhe protokolli në pjesën e arsimit, ishin tema të seancës së përbashkët qeveritare.

Kurti dhe Mickoski vlerësuan se bashkëpunimi duhet të zgjerohet, pa marrë parasysh, sic thanë, ekzibicioneve politike që lidhen me çështjet etnike.

Ishte kjo mbledhja e dytë e përbashkët qeveritare Maqedoni e Veriut – Kosovë. E para u mbajt në shtator 2021 në Shkup nën drejtimin e Kryeministrave Zoran Zaev dhe Albin Kurti. /tvklan.mk

 

Lexo gjithashtu
Total
0
Share