Kryeministri i vendit, Edi Rama ka dhënë një prononcim për mediat pas mbledhjes 2-ditore të qeverisë në Tepelenë.
Gjatë fjalës së tij, Rama është shprehur se kanë arritur të kenë disa rezultate të dobishme në mënyrë që sesionin e ri ta fillojnë me një impuls të ri, por edhe rritje të kapaciteteve të qeverisë.
Edi Rama: Besoj që kemi arritur disa rezultate të dobishme dhe kemi vendosur disa paketa në mënyrë që sesionin e ri ta fillojmë me një impuls të ri, por edhe me një rritje të kapaciteteve të qeverisë duke forcuar rolin dhe të zëvendësministrave dhe duke përfshirë në proces dhe të tjerë drejtues, ndërkohë që do të krijojmë një kanal të ri ndërveprimi me ekspertizën vendase dhe të huaj, por edhe me individë që kanë çfarë të na mësojnë. Ne gjithmonë kemi tendencën që t’i lidhim reformat me njerëz dhe persona, lirime, emërime, por vetëreformimi është shumë më i gjerë se kaq. Është një rikonceptim dhe një riorganizim i procesit qeverisë në funksion të rritjes së eficencës, së kapaciteteve për të arritur rezultatet më të shpejta dhe në funksion të momentit të rëndësishëm në të cilin ndodhet Shqipëria. Keni parë se si Shqipëria ka arritur të ketë numrin e turistëve për 1 mijë banorë sikurse Greqia. Imazhi i Shqipërisë në botë është i përmbysur tërësisht, ajo që ne shohim nga brenda është rritja e paimagjinueshme deri jo shumë vite më parë e interesit të investitorëve të huaj. Këtu flasim për investitorë të mëdhenj në fushën e turizmit dhe teknologjisë të cilët deri disa vite më parë nuk do e konsideronin mundësinë për investime. Të bëjmë një kapërcim tjetër vetë të kuptojmë se çfarë sfidash të reja sjell ky ndryshim që po ndodh para syve tanë dhe të kuptojmë sa shumë gjëra duhet t’i vëjmë në dispozicion këtij ndryshimi për ta çuar Shqipërinë në majë./tvklan.al