Mbi 820 viktima nga tërmeti shkatërrimtar në Marok

Bilanci negativ pas tërmetit shkatërrimtar në Marok vijon edhe rritet. BBC raporton se të paktën 820 persona kanë humbur jetën, ndërsa 672 kanë mbetur të lënduar. 205 prej tyre janë në gjendje të rëndë.

Si pasojë e tërmetit me magnitudë 6.8, shumë persona kanë mbetur nën rrënojat e ndërtesave të prishura. Autoritetet kanë apeluar të gjithë njerëzit që të mos shkojnë në banesat e tyre dhe për këtë arsye shumica e tyre e kaluan natën në qiell të hapur.

Marrakeshi, qyteti më i madh më pranë epiqendrës së tërmetit i ngjan një gërmadhe me shtëpi të shembura. Një pjesë e rëndësishme e këtij qyteti është nën mbrojtjen e UNESCO-s pasi ka ndërtesa që datojnë prej shekullit të 12-të.

Ministri i Brendshëm, Abdelouafi Lafit tha se shumica e viktimave mendohet se janë në zonat rurale në Malet Atlas. Atje ka raportime për familje të mbetura nën gërmadha, por është e vështirë arritja e forcave të kërkim-shpëtimit të cilët janë në luftë me kohën.

Liderë botërorë kanë reaguar menjëherë pas këtij lajmi tragjik. Presidenti francez, Emmanuel Macron tha se është i “shkatërruar” nga lajmi dhe ofroi ndihmën e vendit të tij. Edhe Presidenti rus, Vladimir Putin ka shprehur ngushëllimet. Erdogan ofroi ndihmën e Turqisë.

Ky konsiderohet si tërmeti më i fuqishëm në 123 vitet e fundit në Marok./tvklan.al

 

Lexo gjithashtu
Total
0
Share