Mbi 21 mijë të vdekur nga tërmeti në Turqi dhe Siri

Ajo që ka lënë pas tërmeti në Turqi dhe Siri është shkatërrimi dhe vuajtja. Shpresat për të gjetur të mbijetuar pas pesë ditësh po zbehen.

Raportohet se më shumë se 21 mijë persona kanë vdekur në të dyja vendet. Tashmë ekipet e kërkim-shpëtimit po luftojnë me kohën dhe temperaturat e ftohta për të nxjerrë të mbijetuarit nga ndërtesat e shkatërruara.

Numri i të plagosurve në Turqi dhe Siri është të paktën 78,124 persona.

Një autokolonë me ndihma nga OKB kaloi të enjten nga Turqia në veriperëndim të Sirisë, që prej herës së parë pas tërmetit. 6 kamionët dërguan pajisje për strehim dhe të mira të tjera.

Sekretari i Përgjithshëm, Antonio Guterres, tha se është i hapur për idenë që të dërgojë ndihma edhe nëpërmjet pikave të tjera kufitare, përveç Bab al-Hawa, i cili është i vetmi korridor humanitar i aprovuar nga OKB mes Turqisë dhe zonave që mbahen nga rebelët në veri të Sirisë.

Në Siri, shkatërrimi është i paimagjinueshëm. Pasojave të tërmetit i shtohet edhe kriza humanitare si pasojë e luftës civile. Miliona njerëz që banojnë në veri të Sirisë, shumica e së cilës kontrollohet nga rebelët antiqeveritarë, po vuajnë efektet e varfërisë ekstreme dhe shpërthimit të kolerës.

Sa i përket Turqisë, Banka Botërore ka premtuar 1.7 miliardë Dollarë duke përfshirë financim të menjëhershëm për të rindërtuar infrastrukturën bazike dhe për të mbështetur të prekurit nga tërmeti.

Donacione të tjera do të shkojnë edhe nga SHBA, e cila ka premtuar një paketë prej 85 milionë Dollarësh për të dyja vendet./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share