Të rinjtë nga Serbia gjithnjë e më të interesuar për të pushuar në Shqipëri
Edhe këtë vit ka një shtim të numrit të turistëve nga Serbia që kanë preferuar që të kalojnë pushimet verore në vendin tonë. Ata vijnë jo vetëm nga Novi Pazari, por edhe nga kryeqyteti Beograd, nga Novi Sadi kryeqendra e Vojvodinës dhe nga Nishi.
Në një anketë të realizuar nga organizatat e shoqërisë civile në Serbi këtë vit është vërejtur një rritje e madhe e numrit të të rinjve që janë të interesuar të pushojnë në Shqipëri.
“Në vitet e mëparshme, kategoria më e zakonshme e turistëve që vizitonin Shqipërinë ishin familjet, ndërsa këtë vit po shohim një rritje të madhe të numrit të të rinjve që vendosin të vizitojnë bregdetin shqiptar. Edhe pse që nga viti 2020, kur turistët tanë filluan të vizitojnë Shqipërinë në numër më të madh, filluam të thyejmë paragjykimet për këtë vend, duket se brezave të rinj iu desh pak më shumë kohë për të nisur një udhëtim më të madh drejt Shqipërisë”, Boris Firicki, ekspert turizmi.
Kur bëhet fjalë për të rinjtë nga Serbia, opsionet më të zakonshme të pushimeve janë Durrësi në detin Adriatik, si dhe Ksamili, Vlora dhe Saranda në jug të Shqipërisë. Që nga ky vit, destinacionet gjithnjë e më të preferuara për serbët në bregdetin shqiptar janë Dhërmiu dhe Himara, të cilat tërheqin një numër të madh turistësh nga e gjithë Europa.
Këto resorte në brigjet e detit Jon janë të njohura për argëtimin e mirë, baret e bukura të plazhit dhe festivalet e shumta muzikore. Megjithatë, shifra prej 200 mijë turistësh serbë që kanë pushuar vitin e kaluar në Shqipëri do të tejkalohet këtë vit.
Shqipëria konkurron me destinacionet e vizituara tradicionalisht nga turistët serbë si Greqia, Turqia, Mali i Zi, Bullgaria, Spanja, Kroacia apo destinacionet e tjera evropiane.
Interesi është i lartë dhe numri i turistëve serbe që kthehen në Shqipëri këtë vit, gjë që konfirmon se ata janë ndjerë të mirëpritur në Shqipëri dhe se janë të lumtur që zgjedhin këtë vend për pushimet e tyre.
Sondazhi i realizuar mes qytetarëve serbë që kanë pushuar në Shqipëri, tregoi se 97 për qind e të anketuarve ndiheshin plotësisht të sigurt dhe se më shumë se 90 për qind e turistëve të anketuar do t’ua rekomandonin miqve të tyre pushimet në këtë vend.
Klan News