Mbarojnë rezervat e oksigjenit në nëndetësen turistike

Zbehen shpresat që 5 udhëtarët të gjenden të gjallë

Zbehen shpresat për gjetjen gjallë të 5 udhëtarëve të nëndetëses së vogël turistike që u zhduk të dielën në veri të Oqeanit Atlantik.

Rezervat e oksigjenit që u jepnin atyre mundësinë të mbijetonin nën ujë për 4 ditë, përllogariten prej mesditës së kësaj të enjteje si të përfunduara.

Vendndodhja e nëndetëses ende është e paqartë. Operacionet e kërkim-shpëtimit janë shtrirë në një zonë tepër të gjerë prej 25 mijë kilometrash katrorë. Ekipeve të kërkim-shpëtimit u janë bashkuar edhe 2 mjete të sofistikuara zhytëse, që përdoren për nxjerrjen e mjeteve nga thellësi të mëdha detare.

Zyrtarët e Rojes Bregdetare të Shteteve të Bashkuara thanë se sondat kanë kapur të tjera sinjale zanore nga thellësia, por ende nuk është vërtetuar se ato janë të nëndetëses së zhdukur. Krahas Rojes Bregdetare të Shteteve të Bashkuara, në operacionet e kërkimit janë përfshirë edhe forca dhe mjete detare kanadeze e franceze.

Nëndetësja turistike e nisur të vizituar rrënojat e Titanikut humbi kontaktet të dielën rreth 700 kilometra larg brigjeve të Nju Faundlendit, 1 orë e 45 minuta pas nisjes nga porti kanadez i St. Xhonsit.

Tv Klan

Lexo gjithashtu
Total
0
Share