Mbarë Ukraina pa energji elektrike

“Rusia shtet që mbështet terrorizmin”, në Parlamentin Europian ligjvënësit votuan pro rezolutës për shkak të sulmeve ushtarake të Moskës ndaj objektivave civile si infrastruktura energjetike, spitalet, shkollat dhe jetimoret në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar. Një veprim kryesisht simbolik, pasi Bashkimi Europian nuk ka kuadër ligjor për ta mbështetur atë. Moska reagoi me zemërim ndaj rezolutës dhe menjëherë lëshoi ​​një breshëri raketash anembanë Ukrainës të mërkurën me qëllim mbylljen e termocentraleve bërthamore.

Moska po zhvillon një fushatë për të zhytur qytetet ukrainase në errësirë ​​dhe në të ftohtë me fillimin e dimrit. I gjithë rajoni i kryeqytetit, ku jetojnë mbi tre milionë banorë mbeti pa energji elektrike dhe ujë të pijshëm. Gjithashtu shumë rajone të tjera janë pa energji pasi duhet kohë për të kryer riparimet. Ukraina do të kërkojë një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, tha presidenti Volodymyr Zelenskiy.

“Ne do të rindërtojmë gjithçka. Ne do t’i kalojmë të gjitha vështirësitë. Sepse ne jemi një popull i pathyeshëm. Lavdi Ukrainës!”

Përtej kufirit në Moldavi, autoritetet njoftuan gjithashtu se energjia elektrike u ndërpre në më shumë se gjysmën e vendit. Ndërprerjet detyruan mbylljen e reaktorëve bërthamorë, tha kompania shtetërore e energjisë bërthamore Energoatom. Kompleksi më i madh bërthamor i Ukrainës në Zaporizhzhia, pranë vijës së frontit në jug, është i kontrolluar nga Rusia dhe më parë ishte fikur për shkak të bombardimeve.

Nga shpërthimet në Kiev mbetën të vrarë të paktën 3 vetë dhe 11 të tjerë u plagosën. Më herët, raketat ruse goditën një maternitet në rajonin e Zaporizhzhia gjatë natës, duke vrarë një foshnje të porsalindur.

Videoja e përcjellë nga agjencia Reuters tregoi një pjesë të ndërtesës dykatëshe në rrënoja dhe punëtorët e shpëtimit. Në momentin e sulmit aty ndodhej vetëm një grua me një foshnje të porsalindur dhe një mjek. Ky i fundit dhe nëna u shpëtuan, por foshnja vdiq.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ukrainës, gjenerali Valeriy Zaluzhniy, tha se mbrojtja ajrore rrëzoi 51 nga 67 raketat ruse të lëshuara të mërkurën, 20 prej të cilave kishin si objektiv Kievin.

Ndërsa Ukraina ishte nën breshërinë e raketave, Vladimir Putin mbërriti në Jerevantë të Armenisë për të marrë pjesë në një samit të bllokut të sigurisë post-sovjetike, Organizatës së Traktatit të Sigurisë Kolektive (CSTO). Reagimi ishte i përzierë. Disa armenë mbajtën pankarta ku shkruhej “Rusia dhe Armenia së bashku përgjithmonë”. Por të tjerë, anëtarët e opozitës valëvitën flamujt armenë, të SHBA-së dhe BE-së dhe pankarta shkruhej “Putini është një vrasës” dhe “CSTO na tradhton (ne)”.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share