Mbappe dhe Endrick në Real Madrid – Rodrygo mund të sakrifikohet për Luis Diaz

Ardhja e Kylian Mbappe dhe Endrick te “Galaktikët” e Real Madrid pritet të sjellë ndryshime të mëdha në sulmin e ekipit për sezonin e ardhshëm. Një prej lojtarëve që mund të sakrifikohet, pavarësisht se është ndër të parapëlqyerit e teknikut Carlo Ancelotti, është ylli brazilian Rodrygo. Ky i fundit është në shënjestër të disa skuadrave të mëdha në Evropë.

Sipas raportimeve të fundit nga mediat spanjolle, Rodrygo kërkohet me ngulm nga tekniku i ri i Liverpool, Arne Slot. “Të Kuqtë” kanë vendosur të ofrojnë shërbimet e fantazistit kolumbian, Luis Diaz, si dhe një shumë të caktuar parash për të bërë të mundur transferimin e 23-vjeçarit brazilian në “Anfield Road”.

Luis Diaz, i cili është prej kohësh në listën e dëshirave të rivalëve historikë të “Los Blancos”, Barcelona, mund të përfundojë te “Galaktikët” nëse kampionët e Spanjës dhe Evropës pranojnë shkëmbimin me Liverpool. Megjithatë, fillimisht, këta të fundit duhet të bindin Rodrygon, i cili pavarësisht çdo gjëje është i lumtur në “Santiago Bernabeu” dhe dëshiron të qëndrojë aty.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share