70% E BANORËVE TË KOMUNËS KANË EMIGRUAR NË PERËNDIM
– Këtë verë Alemi shkoi në Gjermani, dhe do të kthehet verës që vjen.
– Të mungon?
– Po ,
– A flitni online?
– Po
– Çfarë thotë për Gjermaninë, mirë është atje?
– Nuk i pëlqen, dëshiron të kthehet, sepse atje nuk ka shokë.
Kështu shprehet Elmini i cili ka mbetur i vetëm pas largimit të shokut të tij Alemit.
E në Shkollën fillore “Hajan Selmani” në Velebërdë të Komunës Mavrovë – Rostushë, në fillim të këtij viti shkollor kishte vetëm tetë nxënës, por pas largimit të dy nxënësve për në Gjermani Elmini mbeti pa shokun e tij dhe shkolla mbeti vetëm me gjashtë nxënës.
Arsimtari Rejhan Durmishi thotë se veçmë duhet të mendojë për planin B të punësimit pasi shkolla mund edhe të mbyllet nëse largohen edhe këto gjashtë nxënës.
“Deri në fund të gjysmë vjetorit të parë u larguan dy nxënës nga e njëjta familje dhe për momentin jemi me dy paralele me vetëm gjashtë nxënës. Situata është shumë alarmante jo vetëm në Veleberdë por në të gjithë në rajonin e Rekës, popullata po largohen në mënyrë masive.
Sigurisht se nëse nuk ka fëmijë nuk do të ketë edhe mësues, kam edhe plan B por, nuk do të doja që plani im B të ishte jashtë vendit” – tha Rejhan Durmishi, arsimtar.
Edhe me ato pak nxënës procesi edukativo-arsimor vazhdon. Ameli e klasës së parë recitoi këtë vjershë.
Ndryshe, fshati Veleberdë ndodhet në komunën Mavrovës dhe Rostushës, i cili ka një pozicion unik me pamje të mrekullueshme të maleve përreth dhe luginës së Radikës. Banoret, rreth 70% nga kjo Komunaë, kryesisht kanë emigruar në Itali dhe Gjermani. /KlanMacedonia/
Përgatiti: Avni Tahiri