Rreth 15.000 maturantë iu nënshtruan provimit të dytë ekstern të maturës shtetërore. Pjesa më e madhe e tyre, mbi 13.000, edhe këtë vit, ishin përcaktuar për provimin e gjuhës angleze.
Maturantët sot dhanë provimin e dytë ekstern të maturës shtetërore. Provimi I dytë është zgjedhor, kurse maturantët kanë patur mundësi zgjedhjeje të lëndës së provimit – gjuhë, anglezem matematikë, gjuhë gjermane, gjuhë frënge, estetikë, gjuhë ruse dhe filozofi.
Pjesa më e madhe e tyre janë përcaktuar për gjuhën angleze – 13.198 maturantë. Për matematikë – 1.356 nxënës, gjuhë gjermane – 114, gjuhë frënge – 37, kurse për estetikë janë paraqitur 84 nxënës.
Për gjuhën ruse dhe filozofi janë paraqitur nga një nxënës.
Të shtunën e kaluar maturantët iu nënshtruan provimit të parë, të obligueshëm të maturës shtetërore – gjuhë amtare – maqedonisht, shqip dhe turqisht.
Qendra Shtetërore e Provimeve rezultatet e dy provimeve duhet t`i publikojë më së voni deri më 8 korrik.
Sipas llojit të arsimimit, në sesionin e qershorit, provime kanë dhënë 6.341 maturantë nga gjimnazet, 8.320 të shkollave të mesme profesionale dhe 263 nga shkollat artistike.
Ata që kanë dështuar në sesionin e qershorit, mund të paraqiten në atë të gushtit kur dy provimet eksterne jepen më 12 dhe 14 gusht.
Matura shtetërore sivjet, për herë të parë, u zhvillua nëpër hapësira më të mëdha shkollore sikurse korridoret apo sallat sportive, sic u tha, për shkak të kontrollit më të mirë të nxënësve.
Pas kopjimit masiv gjatë fundjavës së kaluar, përmes grupeve në VIBER, Qendra Shtetërore e Provimeve ka formuar Komisione, të cilët deri më 8 korrik duhet t`i konstatojnë e më pas t`i shfuqizojnë provimet e atyre maturantëve për të cilët do të dëshmohet se kanë kopjuar./tvklan.mk