Gjykata Kushtetuese ka zbardhur vendimin e plotë që i hapi rrugë ratifikimit në Kuvend të marrëveshjes për emigrantët mes Shqipërisë dhe Italisë.
Në vendimin e plotë, Gjykata Kushtetuese evidenton se protokolli për Migracionin nuk përcakton apo ndryshon integritetin territorial të Republikës së Shqipërisë
“Protokolli për Migracionin nuk ndryshon apo cakton kufij të saj, mban të paprekur elementet e territorit në aspektin fizik. Shteti shqiptar do të ushtrojë të drejtën e vetë brenda territorit ku do të vendosen emigrantët. Autoritetet shqiptare do të ushtrojnë juridiksionin e tyre në aspektet e shërbimeve të kujdesit shëndetësor. Autoritetet shqiptare do të ushtrojnë juridiksionin në rend, siguri, azil dhe shërbimeve për transferimin e trupave në raste vdekjesh. Autoritetet italiane kanë juridiksionin parësor për të shqyrtuar kërkesat për azil të emigrantëve. Edhe autoritetet shqiptare mund të shqyrtojnë kërkesat për azil të emigrantëve pasi është detyrim nga KEDNJ”.
Për sa më sipër, juridiksioni ekstraterritorial i shtetit italian mbi migrantët dhe azilkërkuesit, duke përfshirë mbrojtjen dhe garantimin jo vetëm të të drejtave që lidhen me azilin, por edhe të të drejtave themelore të këtyre personave, ushtrohet për sa kohë që autoritetet italiane kanë kontroll efektiv mbi ta, qëndrim i mbajtur edhe nga Komiteti i të Drejtave të Njeriut të Kombeve të Bashkuara (shih dokumentin C/GC/36, datë 03.09.2019 të Komitetit të të Drejtave të Njeriut të Kombeve të Bashkuara për nenin 6 të Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike)
Ndërsa lidhur me aspektin juridiksional të territorit, Gjykata Kushtetuese vëren se në tekstin e Protokollit për Migracionin nuk rezulton të ketë ndonjë parashikim sipas të cilit shteti shqiptar heq dorë shprehimisht nga ushtrimi i juridiksionit mbi territorin e tij. Protokolli për Migracionin ka parashikuar kalimin në përdorim të përkohshëm nga shteti shqiptar tek autoritetet shtetërore italiane të dy zonave, në të cilat ato do të ushtrojnë juridiksionin e tyre në aspektet e shërbimeve shëndetësore (neni 4), rendit dhe sigurisë brenda zonave, shërbimeve ushqimore dhe çdo shërbimi tjetër të nevojshëm (neni 6), si dhe procesit të rregullt ligjor për shqyrtimin e kërkesave për azil (neni 9). Ndërsa autoritetet shqiptare ushtrojnë juridiksionin e tyre në aspektet e shërbimeve të kujdesit shëndetësor që nuk mund të plotësohen nga autoritetet italiane (neni 4), rendit dhe sigurisë së jashtme (neni 6), lehtësimit të procesit të ofrimit të këshillave dhe asistencës për azilkërkuesit, si dhe shërbimeve të nevojshme për transferimin e trupave në rastet e vdekjeve (neni 9). Për rrjedhojë, Gjykata vlerëson të verifikojë nëse pasja e juridiksionit nga shteti italian në këto dy zona ka të bëjë me territorin e shtetit shqiptar në aspektin juridiksional të tij.
Gjykata vëren se megjithëse de facto zonat e parashikuara në Protokollin për Migracionin do të përdoren nga autoritetet italiane për shqyrtimin sipas legjislacionit italian të kërkesave për azil të migrantëve që synojnë të hyjnë në Itali, kjo nuk shmang përgjegjësinë e autoriteteve shqiptare nga detyrimi pozitiv vis-à-vis migrantëve. Kjo përgjegjësi është e sanksionuar në Kushtetutë, si dhe në të drejtën ndërkombëtare të detyrueshme për Republikën e Shqipërisë, ku përfshihen, por pa u kufizuar në to, KEDNJ-ja dhe Konventa e Gjenevës.
Në këtë kuptim, Protokolli për Migracionin nuk e kufizon shtetin shqiptar në ushtrimin e juridiksionit të tij në nivel kushtetues dhe konventor. Nga ana tjetër, për sa u përket kërkesave për azil, në aspektin e detyrimeve ndërkombëtare, për shtetin shqiptar nuk ka lindur ndonjë detyrim i tillë për sa kohë ky juridiksion ushtrohet mbi personat nga shteti italian, si shteti ku mbërrijnë migrantët e paligjshëm. Detyra për shqyrtimin e kërkesave për azil të migrantëve që kërkojnë të hyjnë në territorin e Republikës së Italisë u përket autoriteteve të atij shteti, që do të thotë se kur ai zgjedh të procedojë jashtë territorit të tij, detyrimisht duhet të ushtrojë juridiksion për të përmbushur detyrimet ndërkombëtare.
“Me fjalë të tjera, juridiksioni i shtetit italian është i lidhur dhe vjen për shkak të zbatimit të konventave ndërkombëtare dhe përmbushjes së detyrimeve të shteteve anëtare në drejtim të çështjeve të azilit. Në këtë aspekt, për shkak të veçantisë së migrantëve që rregullohen nga Protokolli për Migracionin, juridiksionet e dy vendeve palë të tij janë plotësuese të njëra-tjetrës, në shërbim të të drejtave themelore të migrantëve. Për rrjedhojë, Gjykata çmon se Protokolli për Migracionin është një marrëveshje dypalëshe për ndarjen e detyrave midis autoriteteve shqiptare dhe atyre italiane për çështjet e migrantëve dhe nëngrupit të azilkërkuesve, që synon të shmangë një vakuum juridiksional dhe përgjegjësish për të drejtat dhe liritë themelore të tyre, ndaj kalimi i juridiksionit autoriteteve italiane për çështjet e migrantëve dhe azilkërkuesve ka qenë i nevojshëm”, argumenton Gjykata Kushtetuese.
Në përfundim, Gjykata çmon se Protokolli për Migracionin nuk ndryshon juridiksionin territorial të shtetit shqiptar në lidhje me Kushtetutën, KEDNJ-në dhe marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara.
Sipas GJK, shteti shqiptar vazhdon të ushtrojë juridiksionin e tij edhe gjatë kohës që Protokolli për Migracionin do të jetë i zbatueshëm. Megjithatë, duke mbajtur në konsideratë veçantinë e përmbajtjes së Protokollit për Migracionin, që lejon që në një pjesë të territorit shqiptar, krahas juridiksionit shqiptar, të ushtrohet edhe juridiksioni i autoriteteve italiane ekskluzivisht për çështjet e azilit, Gjykata vlerëson se është e nevojshme të analizohet më poshtë edhe vlefshmëria e plotfuqive për lidhjen e tij.
Gjykata Kushtetuese e miratoi marrëveshjen për emigrantët me shumicë votash. Kundër marrëveshjes ishin gjyqtarët Marsida Xhaferllari, Sonila Bejtja, Ilir Toska dhe Elsa Toska.
Marrëveshja për emigrantët Shqipëri-Itali pritet të votohet të enjten në Parlament./tvklan.al/