Marrëveshja me ”Bechtel & Enka” në seancë të mbyllur parlamentare

VMRO INSISTON QË T’U DORËZOHET MARRËVESHJA DHE JO T’U PREZANTOHET

Marrëveshja për ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10D do të prezantohet në seancë të komisionit parlamentar para deputetëve të cilët posedojnë certifikatë sigurie dhe do të jetë e mbyllur për opinionin, njofton KlanM.

Nga kabineti i kryeparlamentarit, Talat Xhaferi, njoftuan se, nw koordinimin e sotëm me kryetarët e grupeve parlamentare dhe përfaqësuesit e partive politike në Kuvend, është konstatuar se, opozita duhet të propozojë trup kompetent për shqyrtimin e marrëveshjes dhe më pas të caktohet data për mbajtjen e seancës.

“Qëndrimi i të pranishmëve në koordinim është se, duke e pasur parasysh atë se nisma është e opozitës, ndërsa opozita nuk merr pjesë në koordinim; opozita të propozojë trup kompetent për shqyrtimin e Marrëveshjes te kryetari dhe të përcaktojë datë kur të shqyrtohet Marrëveshja. Menjëherë pas hapjes së seancës së komisionit, deputetët do të prononcohen për mbylljen e seancës për publikun” – kabineti i kryeparlamentarit Xhaferi.

LSDM, sic njofton KlanM, i ka bërë thirrje opozitës maqedonase që të përgjigjet se, në cilin komision duan që të shqyrtohet marrëveshja. Ata kanë akuzuar se, zvarritja u përshtatet VMRO-së pasi, siç theksojnë, u jep kohë për të vazhduar me përhapjen e gënjeshtrave dhe manipulimeve.

“Shpresoj se, VMRO – DPMNE përfundimisht do t’i thirr mendjes dhe do të tregojnë se në cilin komision parlamentar dëshirojnë të shqyrtohet marrëveshja për këtë projekt strategjik nacional infrastrukturor, i cili është më i madhe nga pavarësia deri më tani” – tha Bogdanka Kuzeska, LSDM.

Megjithatë, nga VMRO – DPMNE insistojnë që marrëveshja t’u dorëzohet për shqyrtim, e jo vetëm të prezantohet në seancë.

“Ne kërkojmë që, që të na dorëzohet marrëveshja për shqyrtim dhe pasi që bëhet fjalë për marrëveshje 500 faqe, të kemi afat të arsyeshëm prej më së paku 10 ditësh ta shqyrtojmë, analizojmë dhe më pas të kemi seancë të mbyllur në të cilën do t’i themi të gjitha vërejtjet tona do t’i kemi të njohura të gjitha klauzolat që janë të dëmshme për buxhetin e Republikës së Maqedonisë” – tha Antonio Milloshoski, VMRO-DPMNE.

Opozita, sic njofton KlanM, në vazhdimësi ka drejtuar akuza drejt pushtetit dhe ka kontestuar marrëveshjen që është nënshkruar me konzorciumin amerikano – turk, Bechtel dhe Enka, e cila nuk është bërë publike për opinionit, për shkak të informatave të klasifikuara. Me këtë rast, deputetët e VMRO – DPMNE -së kanë kërkuar që t’u dorëzohet marrëveshja. /KlanMacedonia/

Përgatiti: Teuta Buçi

Lexo gjithashtu
Total
0
Share