Njeriu më i pasur në botë, Elon Musk ka mbylluar marrëveshjen për blerjen e Twitter për shumën prej 44 miliardë dollarësh. Musk shkroi në Twitter: “Zogu është liruar”, si një referencë për mbylljen e marrëveshjes.
Twitter akoma nuk e ka konfirmuar blerjen, por një investitor në kompani tha për BBC News se marëveshja ishte mbyllur.
Musk ka qenë kritik ndaj politikave të Twitter dhe ky lajm padyshim që do të sjellë reagime nga përdoruesit dhe punonjësit e këtij rrjeti social. Shumë njerëz në të djathtën e politikës amerikane do të festojnë largimin e Agrawal si shef ekzekutiv. Ata i shohin njerëzit si Agrawal dhe paraardhësin e tij, Jack Dorsey, si liberalë që po kufizojnë lirinë e fjalës. Ata gjithashtu mendojnë se nën drejtimin e tyre, Twitter ka censuruar zërat konservatorë, një akuzë që Twitter e mohon.
Sipas raporteve të mediave amerikane, shefi financiar Ned Segal dhe drejtuesi më i lartë ligjor dhe politik i firmës, Vijaya Gadde nuk janë më pjesë e kompanisë. Bashkëthemeluesi i Twitter, Biz Stone falënderoi Agrawal, Segal dhe Gadde për “kontributin e tyre kolektiv” në biznes.
Ndërkohë, Bret Taylor, i cili kishte shërbyer si kryetar i Twitter që nga Nëntori i kaluar, përditësoi profilin e tij në LinkedIn për të treguar se ai nuk ishte më në krye të Twitter.
Musk tha se ai bleu platformën e mediave sociale për të ndihmuar njerëzimin dhe ai donte që “civilizimi të kishte një shesh të përbashkët dixhital”./tvklan.al