Zelensky akuzoi Rusinë për barabarizëm pas sulmit në Odesa, në pikëpyetje besueshmëria e saj
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka akuzuar Rusinë për “barbarizëm” pas një sulmi me raketa në portin e Odesës. Një marrëveshje historike për të rifilluar eksportet e drithërave të Ukrainës e nënshkruar të premten tani është në duart e Rusisë për t’u zbatuar.
Moska nuk ka komentuar mbi sulmin ndërsa Kievi ka thënë se përgatitjet janë ende duke u zhvilluar për të rifilluar eksportet e grurit, pavarësisht sulmit në Odesa. Zelensky është shprehur se ngjarja ilustron se Moskës nuk mund t’i besohet.
Ai u zotua të bëjë gjithçka që është e mundur për të blerë sisteme të mbrojtjes ajrore të aftë për të rrëzuar raketa të tilla në të ardhmen. Ukraina është një eksportues kryesor i drithit, por për shkak të luftës, rreth 20 milion ton drithë janë bllokuar në portet e saj, të paaftë për t’u larguar për shkak të forcave ruse. Kjo ka çuar në mungesa ushqimore dhe rritje të çmimeve në të gjithë Afrikën, e cila zakonisht varet nga Ukraina dhe Rusia për grurin.
Sipas marrëveshjes të së premtes, Rusia ra dakord të mos synonte te sulmonte portet ndërsa dërgesat e grurit ishin tranzit. Por vetëm disa orë pas nënshkrimit të marrëveshjes, dy raketa goditën portin e Odesës. Sulmi është dënuar gjerësisht nga shumë shtete të Bashkimit Europian dhe jo vetëm. Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken akuzoi Rusinë për përkeqësim të një krize globale ushqimore dhe tha se sulmi hodhi “dyshim serioz” mbi besueshmërinë e angazhimit të Rusisë ndaj paktit.
Shefi i Punëve të Jashtme të BE-së Josep Borrell tha se sulmi në Odesa kishte treguar “mospërfilljen totale” të Rusisë për të drejtën ndërkombëtare për patur qasje në ushqim.
Megjithatë qeveria turke, e cila ndërmjetësoi marrëveshjen, tha se zyrtarët rusë e kishin mohuar përgjegjësinë. Marrëveshja qe u desh dy muaj për t’u arritur, do të zgjasë për 120 ditë, me një qendër koordinimi dhe monitorimi që do të krijohet në Stamboll, me staf nga zyrtarë të OKB-së, turq, rusë dhe ukrainas. Ajo mund të rinovohet nëse të dyja palët bien dakord.
Klan News