Marrëveshja “Bechtel dhe Enka” do të prezantohet vetëm para deputetëve me certifikata sigurie

Opozita duhet të propozojë trup kompetentë dhe të caktojë datën e seancës

Marrëveshja për ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10d do të prezantohet në seancë të komisionit parlamentar para deputetëve të cilët posedojnë certifikatë sigurie dhe do të jetë e mbyllur për opinionin. Kështu kanë informuar nga kabineti i kryeparlamentarit, Talat Xhaferi, i cili sot mbajti koordinim me kryetarët e grupeve parlamentare dhe përfaqësuesit e partive politike në Kuvend.

“Duke e marrë parasysh atë se Marrëveshja është e klasifikuar, gjegjësisht vetëm deputetët që janë bartës të certifikatave të sigurisë kanë mundësi të shohin përmbajtjen e saj” – thonë nga kabineti i Talat Xhaferit.

Nga kabineti i Xhaferi më tej njoftuan se në këtë koordinim, përfaqësuesit e partive politike konstatuan se, opozita duhet të propozojë trup kompetent për shqyrtimin e marrëveshjes dhe më pas të caktohet data për mbajtjen e seancës.

“Qëndrimi i të pranishmëve në koordinim është se, duke e pasur parasysh atë se nisma është e opozitës, ndërsa opozita nuk merr pjesë në koordinim; opozita të propozojë trup kompetent për shqyrtimin e Marrëveshjes te kryetari dhe të përcaktojë datë kur të shqyrtohet Marrëveshja. Menjëherë pas hapjes së seancës së komisionit, deputetët do të prononcohen për mbylljen e seancës për publikun” – thonë nga kabineti kryeparlamentarit Xhaferi.

Opozita në vazhdimësi ka drejtuar akuza drejt pushtetit dhe ka kontestuar marrëveshjen që është nënshkruar me konzorciumin amerikano – turk, Bechtel dhe Enka, e cila nuk është bërë publike për opinionit, për shkak të informatave të klasifikuara. Me këtë rast, deputetët e VMRO – DPMNE -së kanë kërkuar që t’u dorëzohet marrëveshja. Nga Qeveria kanë thënë se, marrëveshja do të prezantohet para të gjithë deputetëve të Kuvendit të RMV-së që posedojnë certifikatë adekuate të sigurisë. /KlanMacedonia/

Përgatiti: Teuta Buçi

Lexo gjithashtu
Total
0
Share