Shuc: BE ka ndarë 50 milionë për Maqedoninë e Veriut
Vendosja e kornizës kohore për anëtarësim të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE është modeli më i përshtatshëm për nxitjen e reformave të brendshme në gjashtë shtetet. Madje edhe nëse anëtarësimi, për shembull në vitin 2023, nuk nënkupton pajisjen me të gjitha privilegjet, si e drejta e vetos dhe emërimi i komisionerëve evropianë. Kjo ide, Zv/Kryeministri Bojan Mariçiq, konsideron se mund t’i inkurajojë vendet anëtare të dyshimta të BE-së rreth anëtarësimit, të cilat kanë frikë që në tavolinën e marrjes së vendimeve në Bruksel të vendosen edhe gjashtë karrige.
“Sepse nëse nuk jemi të sinqertë do të shpresojmë për meny të plotë, për të gjitha privilegjet që i sjell anëtarësimi, por edhe nëse i kryejmë të gjitha reformat, në qoftë se nuk ka gatishmëri të shtohen edhe gjashtë karrige në tavolinën e vendimeve, nuk do të ketë zgjerim. Për ne është shumë më e rëndësishme më shpejt të hyjmë, madje edhe nëse nuk e kemi të drejtën e vetos dhe të komisionerit në 10 vitet e para, sesa të insistojmë për këto gjëra dhe të bëhemi vend anëtar pesë vite më vonë”, deklaroi Zëvendëskryeministri Bojan Mariçiq.
Duke e përshëndetur ringjalljen e Procesit të Berlinit, Drejtoresha për Evropën Juglindore në Ministrinë Gjermane të Punëve të Jashtme rikujtoi se Brukseli me pako financiare për zbutjen e krizës energjetike, por edhe për zhvillim të shteteve, jep dinamikë të re në marrëdhëniet e ndërsjella në Ballkan, ku Maqedoninë e Veriut e sheh si udhëheqëse të rrugës evropiane.
“Nga gjithsej një miliardë euro të ndara, në fillim të vitit të ardhshëm 500 milionë do të shpërndahen në të gjitha gjashtë vendet, si grante, si pako urgjente për stabilitet energjetik, ndërsa siç është vendosur 50 milionë për Maqedoninë e Veriut. Do të ketë para edhe për zhvillim të mëtejshëm të rajonit”, deklaroi Drejtoresha në MPJ-në e Gjermanisë, Suzan Shuc.
Për shkak të mundësisë për intensifikimin e bashkëpunimit me vendet fqinje , duke mos u lënë pas asnjë vend, ringjallja e Procesit të Berlinit, sipas Presidentit të shtetit Stevo Pendarovski, është “lajm i shkëlqyer”.
“Tri marrëveshjet e nënshkruara për kalimin e kufijve me letërnjoftime, për pranimin e kualifikimeve të arsimit të lartë dhe atyre profesionale të mjekëve të mjekësisë së përgjithshme, stomatologjisë dhe të arkitektëve, janë hap i madh përpara drejt tregut të përbashkët rajonal. Nuk shoh asnjë arsye këto marrëveshje së shpejti të mos ratifikohen edhe në Kuvendet Kombëtare”, deklaroi Presidenti i RMV-së, Stevo Pendarovski.
Si plotësim, në panel e organizuar nga organizata gjermane “Fridrih Ebert” u përmend se në samitin e nesërm BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë do të nënshkruhet marrëveshje për heqjen e shpenzimeve të roamingut në mes Ballkanit Perëndimor dhe BE-së./KlanMacedonia
Përgatiti: Biljana Georgievska