Maqedonia e Veriut zë vendin e dytë në botë për nga numri i fëmijëve që nuk e kanë marrë asnjë vaksinë që nga lindja e tyre, thotë një raport i UNICEF-it i publikuar së fundi.
Në këtë raport theksohet se për dallim nga trendët botërorë, ku numri i fëmijëve të pavaksinuar është kryesisht në zonat rurale dhe të varfra, në Maqedoninë e Veriut ky numër është më i madh në mjediset urbane.
Nga Ministria e Shëndetësisë theksojnë se mbeten të fokusuar në promovimin dhe edukimin e vazhdueshëm sa i përket përfitimit nga vaksinat, siç janë fushatat e përbashkëta me UNICEF-in dhe OBSH-në.
“Njerëzit më shumë u besojnë portaleve të ndryshme dhe OJQ-ve sesa shkencës dhe ligjit. Problemi këtu është dhe te mossanksionimi i atyre që pamundësojnë vaksinimin e fëmijëve. Çdo familje duhet të përballet me sanksione nëse nuk e vaksinon fëmijën. Kemi të bëjmë me vetëdijen e prindërve si faktor shumë i rëndësishëm”, thekson për Radion Evropa e Lirë, Shaban Memeti, drejtor i Institutit të Shëndetit Publik në Maqedoni të Veriut.
Përfaqësues nga Organizata Botërore e Shëndetësisë thonë se duhet gjetur modalitete që në sistemin e imunizimit të përfshihen fëmijët që për shkaqe të ndryshme kanë anashkaluar terminët për marrjen e vaksinave.
Prindërit që janë kundër vaksinave të rregullta, nuk dëshirojnë të flasin para mediave. Ata në rrjetet sociale kryesisht mbrojnë qëndrimin se vaksinat janë me cilësi të dyshimtë.
Por, prindërit që i vaksinojnë fëmijët me rregull, shfaqin shqetësim për shkak të numrit të madh të fëmijëve të pavaksinuar pasi në këtë mënyrë mund të shfaqen pandemi që, domosdo do t’i prekin dhe fëmijët e tyre.
“Unë djalin tim e kamë vaksinuar me rregull me të gjitha vaksinat… pasi besoj se duke u vaksinuar parandalohen shumë sëmundje. Falë vaksinave djali nuk u prek as nga fruthi dhe sëmundjet që i kalonin së kaluarës. Por, ja tani ato shfaqen për fat të keq, siç është fruthi(moribili) në kopshte ku shkon dhe im bir. Disa sëmundje që ishin çrrënjosur, për fat të keq kthehen te ne sërish pikërisht për shkak të prindërve që janë kundër vaksinave”, thotë Ivana për REL-in.