Maqedonia e Veriut mbyll “screening” një javë pas Shqipërisë

BE në dilemë nëse do t’i veçojë këto dy shtete

Maqedonia e Veriut përfundoi zyrtarisht procesin e shqyrtimit të legjislacionit të saj nga ana BE-së. Shqipëria e cila e ka nisur këtë rrugë në të njëjtën kohë më 15 Shtator të vitit të kaluar e ka mbyllur procesin e screeningut 1 javë më parë. Mbetet të shihet në Samitin e 14-15 Dhjetorit nëse këto dy shtete fqinj do të shihen në çift si deri tani kur shpesh kanë mbajtur peng njëra-tjetrën apo do të gjykohen veçmas për nisjen zyrtare të kapitujve të negociatave.

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë marrë tashmë një ftesë nga Presidenca Spanjolle e BE-së për të përgatitur udhërrëfyesin për grup-kapitujt e parë. Bëhet fjalë për udhërrëfyesin për sundimin e ligjit, për reformën e administratës publike, për funksionimin e institucioneve demokratike si dhe planin e veprimit për mbrojtjen e pjesëtarëve të pakicave etnike.

Ndërkaq, Maqedonia e Veriut ka si kusht kryesor për mbajtjen e konferencës së dytë ndërqeveritare me BE-në, ka përfshirjen e bullgarëve në kushtetutë si popull shtetformues, gjë që ende nuk është realizuar. Shqipëria nga ana tjetër në kornizën e saj negociatore ka disa kushte të vendosura nga Greqia për regjistrimin e minoritetit, pronave të tyre, si dhe ndarjen e kufirit detar.

Ende nuk janë deklaruar angazhimet e autoriteteve shqiptare për planin e veprimit për mbrojtjen e minoriteteve, sidomos përballë kërkesës greke për lejimin e betimit të kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri. Ky plan duhet të paraqitet në Bruksel para datës 14 Dhjetor, kohë kur mblidhet për vendimarrje Këshilli Evropian.

Ndërkaq, në rastin e Maqedonisë së Veriut pavarësisht kushteve nga Bullgaria e cila mund të vendos sërish veton këtë Dhjetor, kryeministri aktual maqedonas Kovaçevski deklaroi në Parlamentin Evropian: Anëtarësimi në BE deri në vitin 2030 është një objektiv ambicioz por jo i pamundur. Negociatat për anëtarësim hapen dhe mbyllen me kapitullin për sundimin e ligjit dhe të drejtat themelore.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share