Gabimet foshnjarake të mbrojtësit Maguire dhe portierit De Gea i kushtuan shtrenjtë Manchester United. “Djajtë e kuq” i dhanë fund aventurës Europiane në mënyrën më të keqe të mundshme. Ndaj një Sevilla që përfitoi siç duhet nga momentet vendimtare, skuadra e trajnerit Erik ten Hag i dha fund eksperiencës në Europa League që në raundin çerekfinal.
“Është e vështirë për ta pranuar, por gabuam rëndë. Duhet të mësojmë dhe të kemi një forcë karakteri të madhe. Nuk ka të bëjë me momentet e sfidës, por me reagimin. Ata kishin më shumë vullnet për të fituar dhe kjo nuk mund të jetë. Është e papranueshme për një skuadër si ne”.
Humbje që e nxjerr nga gara për një titull Europian, skuadrën angleze, teksa ndërlikon jo pak prezencën në Champions League e vitit të ardhshëm. Anglezët nuk e kanë siguruar ende një vend mes katër më të mirave në Premier League, ndërsa garon për titull në FA Cup, ku gjendet në gjysmëfinale.
Klan News