Zgjedhje mes BE-së dhe Rusisë
Qendrat e votimit ne Malin e Zi janë hapur në orës 7.00 të mëngjesit të 11 qershorit dhe do të mbyllen në orën 20.00. Sipas të dhënave zyrtare të institucioneve të Malit të Zi të drejtë vote në këto zgjedhje kanë 542.468 qytetarë.
Në garë marrin pjesë 15 lista zgjedhore të koalicioneve dhe partive, të konfirmuara nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në Mal të Zi. Partitë dhe koalicionet që po marrin pjesë në këto zgjedhje kanë premtuar jetë më të mirë, paga dhe pensione më të larta, blerje të favorshme të banesave dhe rritje të përfitimeve sociale. Premtime të tilla kanë dominuar të gjithë fushatën elektorale.
Lideri i Lëvizjes Evropa Tani e cila sipas sondazheve mund te rezultoje partia e pare ne kutite e votimit, premton rritje të pagës mesatare në 1000 euro ndërsa për pagën minimale premtojne se do të jetë 700 euro, pensioni minimal në 450 euro.
Koalicioni i udhëhequr nga socialdemokratet e ish presidentit Gjukamoviq premtoi rritje të pagës bruto për 50 për qind dhe pension minimal prej 350 eurosh. Partite e tjera premtojne shifra e edhe me te larta page mesatare 1000 euro dhe pensionin mesatar në 700 euro.
Këto zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare mund t’i japin fund një krize politike gati tri vjeçare në Mal të Zi ku dy qeveri u rrëzuan përmes mocioneve të mosbesimit.
Zgjedhjet e 11 qershorit, janë zgjedhjet e 12-ta parlamentare që nga futja e sistemit shumëpartiak dhe të gjashtat që nga pavarësimi i Malit të Zi në vitin 2006. Mali i Zi është anëtar i NATO-s që nga viti 2017 dhe kandidat për anëtarësim në BE që nga fundi i vitit 2012. Mali i Zi hapi të 33 kapitujt e negociatave, i fundit në qershor 2020 dhe mbylli tre. Pas pushtimit rus të Ukrainës vitin e kaluar, Mali i Zi – ndryshe nga Serbia – iu bashkua sanksioneve të BE-së kundër Moskës, dërgoi ndihma në Ukrainë dhe dëboi një numër diplomatësh rusë. Kremlini e ka vendosur Malin e Zi në listën e shteteve jomiqësore./KlanNews