Këngëtarja Malda Susuri ka mbajtur një koncert recital të paharrueshëm pas një pauze të gjatë. Titulluar “Saudade”, ky koncert solli një atmosferë të veçantë dhe të ngrohtë për të pranishmi, të ftuar të veçantë, dhe dashamirësit e muzikës kualitative.
Artistja me origjinë nga Prizreni, e njohur për talentin e saj në muzikë, ka sjellë një përformance të jashtëzakonshme, duke rrëmbyer zemrat e të pranishmëve me interpretimin e këngëve të çmuara të muzikës shqiptare.
Ambientet e “Kreativ Qeramika” u shndërruan në një arenë intime dhe të veçantë, duke krijuar një lidhje të ngushtë midis artistes dhe audiencës së kufizuar që ajo kishte ftuar në këtë recital të saj.
Qytetarë të ndryshëm, përfshirë dashamirësit e pasionuar të kulturës dhe muzikës, patën rastin të shijonin një përformance të rrallë, ku muzika dhe tingujt mahnitën zemrat dhe shpirtin e të pranishmëve.
Pjesa kryesore e koncertit u përqendrua te projekti i quajtur “Saudade”, një term portugez që përshkruan një ndjenjë të thellë të melankolisë dhe nostalgjisë për ato që kanë kaluar.
Me këtë temë, Malda Susuri ka shpalosur aftësitë e saj të jashtëzakonshme interpretuese dhe ka sjellë në skenë një rrëfim të ndjenjave dhe emocioneve.