Një person është arrestuar në Tuz të Malit të Zi me urdhër të Prokurorisë Themelore në Podgoricë, pasi dyshohet se ka shtënë me pushkë gjuetie, njoftoi Drejtoria e Policisë në orët e vona të mbrëmjes së 2 Marsit.
Sipas policisë, para fillimit të një tubimi zgjedhor të një koalicioni politik, në qytetin Milesh të komunës së Tuzit, 40-vjeçari Emin Beçoviç ka tentuar ta pengojë takimin, prej ku ka gjuajtur dy herë me një pushkë gjuetie.
Gjatë të shtënave nuk ka pasur të lënduar.
I arrestuari akuzohet për veprën penale të armëmbajtjes pa leje.
Në komunën e Tuzit, që është komunë me shumicë shqiptare afër Podgoricës, zgjedhjet lokale janë caktuar të dielën, më 5 Mars.
Para njoftimit nga policia, Forumi Shqiptar njoftoi se e kishin anuluar tubimin zgjedhor në Milesh, pasi, siç thanë, anëtari i listës “Rruga e duhur”, i dyshuari Emin Beçoviq, “sulmoi aktivistët e tyre që po përgatitnin tubimin duke gjuajtur dy herë me pushkë gjuetie në drejtim të vendit të takimit”.
Lista “Rruga e duhur” përbëhet nga Partia Demokratike e Socialistëve, Socialdemokratët, Partia Boshnjake dhe Bashkimi Demokratik i Shqiptarëve.
Forumi shqiptar udhëhiqet nga Alternativa Shqiptare e kryetarit aktual të komunës së Tuzit, Nik Gjeljoshaj, ku bëjnë pjesë edhe Aleanca Demokratike e Shqiptarëve, Bashkimi Kombëtar Shqiptar dhe Aleanca Demokratike e Malit të Zi.
Këto dy lista janë konkurrentet kryesorë në zgjedhjet lokale në Tuz.
Katër koalicione dhe tri lista të pavarura do të marrin pjesë në zgjedhjet e 5 marsit, të dytat që nga ndarja e kësaj bashkësie lokale nga komuna e Podgoricës në vitin 2018.
Dekada më parë, Tuzi ishte pjesë administrative e Podgoricës, e më pas një nga komunat e kryeqytetit. Banorët e Tuzit pritën gati dy dekada për t’u ndarë në një komunë të pavarur, që ishte kërkesa kryesore politike e partive kombëtare shqiptare.
Në zgjedhjet e para, pas ndarjes, në vitin 2019, Partia Demokratike e Socialistëve e Presidentit Milo Gjukanoviq humbi pushtetin në Tuz, ku deri atëherë kishte një bazë të fortë.
Në zgjedhjet lokale në këtë komunë kanë të drejtë vote 12,290 votues. /REL