Ndeshje dramatike në finalen e Kupës së Maqedonisë së Veriut, mes ekipeve Makedonija Gj.P dhe Struga Trim Lum. Në kohën e rregullt ndeshja përfundoi me rezultatin e barabartë 1 me 1, ndërsa pas lojës shtesë dy herë nga 15 minuta asnjë nga skuadrat nuk arriti të shënojë.
Ndeshja shkoi në ekzekutim të penaltive ku skuadra e Gjorçe Petrovit ishte më me fat pasi realizoi dy penalti përmes Liçinas dhe Skenderit, ndërsa futbollistët struganë Tairi, Radevski, Mexhiti dhe Shabani nuk arritën të realizojnë gol. Kupën kapitenit të Makedonija Gj.P, Filip Mishevski, ia dorëzoi presidenti i FFM-së Muamed Sejdini.
“Ndeshje e vështirë dhe e pasigurt si çdo finale. Kupa është diçka specifike, por edhe diçka e veçantë për Makedonia Gj. P. Është shumë më e vështirë të mbrohesh sesa të fitosh trofeun. Ne kishim kontrollin në pjesën e parë, por kur kryeson 1-0 në pjesën e dytë, ritmi bie. Bëmë dy ndryshime para golit të pranuar, por edhe pas kësaj arritëm të mblidhnim forcat dhe në fund u gëzuam pas penalltive”, tha Goran Simov, trajner i Makedonija Gj.Petrov.
“Nëse një ekip ka arritur në finale, duhet të ketë cilësi. E përgëzoj edhe Maqedoninë Gj.Petrov për titullin, ekip që e respektoj shumë. Mendoj se ishim dominues për 120 minuta, por pësuam një gol në pjesën e parë, i cili në fund doli të ishte vendimtar. Barazuam dhe donim të shënonim edhe një gol, por në fund nuk ia dolëm. Sigurisht që kemi ushtruar penallti, por më interesante është se nuk kemi humbur asnjë penallti gjatë stërvitjes. As që mund ta mendonim se kjo mund të na ndodhte neve”, deklaroi Shpëtim Duro trajner i KF Struga Trim Lum.
Pas përfundimit të finales së kupës përfundimisht mësohen ekipet që do të përfaqësojnë vendin në garat evropiane e ato janë: Struga Trim Lum në Ligën e Kampionëve, ndërsa Shkupi, Shkëndija dhe Makedonija Gj.P në Konferencë Ligë.
Përgatiti: Shaban Sinani /KlanMacedonia/