Macron i bën thirrje Izraelit të ndalojë vrasjen e civilëve në Gaza

Presidenti francez, Emmanuel Macron i ka bërë thirrje Izraelit që të ndalojë vrasjen e civilëve në Gaza. Në një intervistë për BBC News, Presidenti Macron shprehet se ai nuk ka asnjë justifikim për bombardimet.

“Ndërsa njohim të drejtën e Izraelit për të mbrojtur veten, ne i bëjmë thirrje që të ndalojnë këtë bombardim në Gaza”, tha Macron për BBC.

Nga ana tjetër, Macron gjithashtu theksoi se Franca dënon qartë veprimet terroriste të Hamasit.

Në momentin që ju drejtua pyetja nëse do të donte që liderë të tjerë, përfshirë SHBA-në dhe Mbretërinë e Bashkuar, t’i bashkoheshin thirrjeve të tij për armëpushim, ai u përgjigj: Shpresoj se do ta bëjnë.

Duke folur një ditë pas një konference për ndihmë humanitare në Paris për luftën në Gaza, Macron tha se konkluzioni i të gjitha qeverive dhe agjencive të pranishme në atë samit ishte “se nuk ka zgjidhje tjetër përveç se një armëpushim humanitar”.

“Do të na lejojë të mbrojmë të gjithë civilët që nuk kanë asnjë lidhje me terroristët. Këto foshnja, këto zonja, këta të moshuar janë bombarduar dhe vrarë. Pra, nuk ka asnjë arsye për këtë dhe nuk ka legjitimitet. Kështu që ne i bëjmë thirrje Izraelit të ndalojë”, u shpreh Macron.

Presidenti francez tha se nuk ishte roli i tij të gjykonte nëse ligji ndërkombëtar ishte shkelur./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share