Lukashenka thotë se Ukraina po “përgatit” sulm ndaj Bjellorusisë

Lideri autoritar i Bjellorusisë, Alyaksandr Lukashenka, një aleat i ngushtë i liderit rus Vladimir Putin, tha më 10 tetor se Ukraina po përgatit një sulm ndaj territorit të shtetit të tij.

Lukashenka tha se Rusia dhe Bjellorusia do të dislokojnë një task-forcë të përbashkët ushtarake.

“Siç e kam thënë, sot Ukraina nuk po diskuton, por po planifikon sulme në territorin e Bjellorusisë”, citohet të ketë thënë Lukashenka gjatë një mbledhjeje me zyrtarët e sigurisë, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve, Belta.

“Ne jemi pajtuar që të dislokojmë njësite të Federatës Ruse dhe të Republikës së Bjellorusisë”, shtoi ai, pa specifikuar se ku do të dislokohen trupat.

Ai tha se formimi i këtyre grupeve me ushtarë ka nisur dy ditë më parë, që përkon me ditën kur një shpërthim goditi urën që lidh Krimenë me Rusinë. Moska ka fajësuar Ukrainën për shpërthimin.

Bjellorusia “duhet të planifikojë paraprakisht për t’iu kundërvënë të gjitha llojet të mashtruesve që po tentojnë të na tërheqin në luftë”, tha Lukashenka.

“Nuk duhet të ketë luftë në territorin e Bjellorusisë”, shtoi ai.

Bjellorusia varet financiarisht dhe politikisht nga Rusia.

Forcat ruse e kanë përdorur territorin e Bjellorusisë për të nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, duke dërguar ushtarë dhe pajisje në veri të Ukrainës, përmes bazave në Bjellorusi.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share