Disa vende kanë evakuuar diplomatët dhe qytetarët nga kryeqyteti i Sudanit, teksa luftimet e ashpra vazhdojnë të rriten në Khartoum.
ShBA-ja dhe Britania e Madhe njoftuan të dielën se i kishin larguar diplomatët nga vendi.
Italia, Belgjika, Turqia, Japonia dhe Holanda thanë se po organizonin gjithashtu evakuime, duke filluar nga e diela.
Një autokolonë franceze thuhet se u sulmua teksa përpiqej të largohej nga ambasada dhe u desh të kthehej.
Ushtria e rregullt e Sudanit dhe kundërshtarët e saj, një forcë paraushtarake e quajtur Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF), fajësuan njëri-tjetrin për sulmin.
Duke folur për BBC, autoritetet franceze refuzuan të komentojnë nëse kishte ndodhur një sulm, por ata thanë se ushtria franceze me bazë në Xhibuti ishte e përfshirë në operacion dhe se qëllimi ishte të çonte të evakuuarit në Xhibuti.
Ministria franceze e Punëve të Jashtme tha se po evakuonte gjithashtu shtetasit e saj dhe shtetasit e vendeve të tjera të BE-së dhe aleatëve.
Autoritetet amerikane thanë se kishin transportuar më pak se 100 njerëz me helikopterë Chinook të dielën në mëngjes në një operacion “të shpejtë dhe të pastër”.
Megjithëse nuk ka një armëpushim formal, duket se RSF-ja ka rënë dakord të mos qëllojë ndaj helikopterëve amerikanë gjatë misionit të tyre.
Të shtunën, më shumë se 150 persona, kryesisht qytetarë të vendeve të Gjirit, si dhe Egjiptit, Pakistanit dhe Kanadasë u evakuuan nga deti në portin e Arabisë Saudite të Jeddah.
Ndërkohë, ka raporte se lidhja e internetit është shkëputur pothuajse totalisht në Sudan, gjë që mund të pengojë seriozisht koordinimin për të ndarë ndihma për të bllokuarit në Khartoum dhe qytete të tjera.
Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se luftimet kanë vrarë më shumë se 400 njerëz dhe mijëra të plagosur. Por numri i të vdekurve besohet të jetë shumë më i lartë pasi njerëzit po përpiqen të marrin kujdes shëndetësor, pasi shumica e spitaleve të qytetit janë detyruar të mbyllen nga luftimet, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.