Luftime të ashpra kanë shpërthyer të hënën përreth një spitali në veri të Gazës, ku mijëra pacientë dhe njerëz të zhvendosur janë duke u strehuar tash e disa javë.
Forcat izraelite janë përqendruar në spastrimin e objekteve mjekësore për të cilat thonë se po përdoren si mburojë nga luftëtarët e grupit radikal palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, Hamas.
Përparimi i Ushtrisë së Izraelit në Spitalin Indonezian ndodhi vetëm një ditë pasi Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) i evakuoi 31 foshnje nga Spitali Shifa në Qytetin e Gazës, i cili është më i madh i këtij vendi, ku ato ishin në mesin e 250 pacientëve të sëmurë dhe lënduar rëndë që kishin ngecur atje pak ditë pasi forcat izraelite u futën në oborrin e tij.
Gjendja e vështirë e spitaleve të Gazës është në qendër të një beteje të narrativëve për ndikimin brutal të luftës ndaj civilëve palestinezë, qindra prej të cilëve janë vrarë apo varrosur nën rrënoja prej se nisi lufta tashmë gjashtëjavëshe, e nxitur nga sulmi i Hamasit në qytetet jugore izraelite më 7 tetor.
Izraeli thotë se Hamasi i përdor civilët si mburoja njerëzore, ndërsa kritikët thonë se rrethimi dhe bombardimet e pareshtura izraelite të Gazës përbëjnë ndëshkim kolektiv për territorin e 2.3 milionë palestinezëve.
Marwan Abdallah, një punonjës shëndetësor në Spitalin Indonezian, tha se tanket izraelite mund të shihen nga dritaret e spitalit.
“Mund t’i shohësh ato duke lëvizur përreth dhe duke shtënë. Gratë dhe fëmijët janë të tmerruar. Ka zhurma të vazhdueshme të shpërthimeve dhe armëve të zjarrit”, tha ai.
Abdallah tha se dhjetëra njerëz u vranë dhe u plagosën si pasojë e sulmeve ajrore dhe granatimit gjatë natës. Ai tha se druhen se Izraeli do ta rrethojë spitalin dhe do t’i detyrojë të gjithë të evakuohen.
Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Ashra fal-Qidra, i cili ndodhet në jug të Gazës tani, tha se forcat izraelite e sulmuan spitalin, duke i vrarë 12 njerëz. Kjo nuk ka mundur të verifikohet menjëherë në mënyrë të pavarur.
Ai tha se 600 pacientë, 200 punonjës shëndetësorë dhe 2.000 të zhvendosur janë duke u strehuar në këtë spital.
Ushtria e Izraelit, e cila rrallëherë publikon lëvizjet e trupave të vet, nuk ka komentuar ende.
/GazetaSinjali/