Lufta në Ukrainë – Erdogan bisedë telefonike me Putin dhe Macron

Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan sot, në përvjetorin e pushtimit rus të Ukrainës, zhvilloi biseda telefonike me homologët e tij rus dhe francez Vladimir Putin dhe Emanuel Makron.

Në bisedën me Putinin, presidenti turk bëri thirrje për një “paqe të drejtë” në Ukrainë, kumtoi kabineti i tij.

Presidenti Erdogan theksoi nevojën për të arritur një paqe të drejtë për të shmangur humbjet e mëtejshme të jetëve të  njerëzve dhe shkatërrimin, citohet në deklaratën e shkurtër nga kabineti i tij.

Që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës, Erdogan është përpjekur të balancojë mes Kievit dhe Moskës.

Në shtator të vitit të kaluar, ai ofroi gjithashtu ndërmjetësim për të zgjidhur krizën që rrethon centralin bërthamor  Zaporozhje.

Ankaraja ka dërguar drone në Kiev, por Qeveria turke ka refuzuar t’i bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Rusisë.

Presidenti turk është takuar disa herë me Putinin dhe është në komunikim të rregullt me ​​presidentin ukrainas Volodimir Zelenski.

Sot ai pati një bisedë telefonike me presidentin francez Emanuel Macron, i cili i tha se është e nevojshme “të forcohet presioni dhe izolimi i Rusisë” në mënyrë që ajo të braktisë agresionin ndaj Ukrainës.

“Në këtë kuptim, kreu i shtetit theksoi sfidën për të luftuar kundër çdo anashkalimi të sanksioneve të vendosura”, shtojnë nga Pallati i Eliseut.

Makron tha gjithashtu se “prioritet duhet të jetë forcimi i mbështetjes për Ukrainën për t’i mundësuar asaj të fitojë” luftën kundër Moskës.

Presidentët Makron dhe Erdogan “përsëritën angazhimin e tyre të palëkundur ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës” dhe “diskutuan veprime të dobishme që mund të ndërmerren për të mirën e popullatës civile dhe në favor të rivendosjes së paqes që do të arrihet me respekt të plotë të të drejtave legjitime të Ukrainës”, citohet në kumtesën e kabinetit  të  presidentit francez.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share