Lufta në Ukrainë, e tashmë edhe ajo mes Izraelit dhe Hamasit, për kryeministrin Edi Rama kërkon me domosdoshmëri forcimin e paqes në rajonin e Ballkanit. Në konferencën e përbashkët për shtyp me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg dhe liderët e rajonit, kreu i qeverisë shqiptare tha se nuk duhet harruar se Ballkani Perëndimor është një rajon jo vetëm multietnik, por edhe multifetar ndaj “ndikimet negative të atij konflikti (Izrael-Hamas) nuk janë të përjashtuara”.
“Posaçërisht e angazhuar me më shumë trupa për të siguruar kufirin mes Serbisë dhe Kosovës i cili është burim i shumë të këqijave dhe prej të cilit penetrojnë edhe individë, grupe, forca, që synojnë të destabilizojnë Kosovës. Është e padiskutueshme e jo më kot sekretari e nënvizoi pavarësisht se nuk është një instrument i drejtpërdrejtë i NATO-s, por i BE, që e vetmja rrugë për të trajtuar të gjitha problemet që duhen zgjidhur drejt paqes përfundimtare mes Serbisë dhe Kosovës është rruga e ndërmjetësuar e dialogut e BE. Kemi një dëshirë tanimë të përbashkët këtu që formati i ardhshëm i këtij takimi të parë të kësaj natyre të zhvillohen me praninë edhe të vendeve të tjera të Ballkanit, që nuk janë anëtare të NATO-s, por që me NATO-n kanë marrëveshje të nivele dhe të ndryshme të partneritetit. Nuk duhet harruar që paqja që kemi në këtë rajon është jashtëzakonisht e çmuar, edhe pse ka brishtësinë e vet dhe pavarësisht se e brishtë dhe forcimi i paqes është një objektiv strategjik i të gjithëve dhe duhet të jetë i tillë në çdo hap dhe për të gjitha arsyet, aq më tepër në një botë jo shumë larg nesh që është përfshirë në luftëra. Sepse tani nuk kemi vetëm një luftë në dyert e Europës, në Ukrainë, por kemi dhe një luftë tjetër në vijimin e konfliktit mes Izraelit dhe Hamasit. Të mos harrojmë që jemi rajon jo vetëm multietnik, por edhe multifetar dhe ndikimet negative të atij konflikti nuk janë të përjashtuara, nga rajoni ynë. Ndaj këtu në rajonin tonë ne të gjithë së bashku duhet të bëjmë gjithçka është e mundur për të mos bërë asnjë hap pas sepse vijmë nga një e shkuar jo shumë e largët, me shumë gjak, me shumë plagë me shumë dhimbje, dhe asnjëherë nuk kemi qenë më mirë sesa sot. Natyrisht nesër duhet të jemi shumë më mirë se sot, nëse nuk duam që e nesërmja të jetë e djeshme. ”
Sa i takon Kosovës, Rama thekson se kahja e saj euroatlatike është jashtë çdo lloj diskutimi dhe ajo duhet ndihmuar që të përshpejtojë integrimin e saj në NATO.
“Ne jemi të bindur që Kosova duhet të ndihmohet që të përshpejtojë integrimin e saj në NATO. Ndaj me (presidentin e Kroacisë) bindjen absolute, që është absurde që Kosova të pengohet në këtë proces ndërkohë që të gjithë së bashku në NATO jemi jo vetëm të vëmendshëm, por edhe të angazhuar në Kosovë aktualisht. Dhe kahja euroatlantike e Kosovës është jashtë çdo lloj diskutimi. Ndërsa hezitimet për ta njohur Kosovën nga vendet e BE, NATO-s, janë jehonë e një të shkuare që është gjithmonë më pak relevante në krahasim me të tashmen që ka sjellë kaq shumë sfida të reja dhe që kërkon shumë më tepër unitet dhe shumë më tepër vështrim strategjik”./tvklan.al