Lufta mban larg Adriatikut turistët ukrainas dhe rusë

Reuters: Kroacia, Mali i Zi dhe Shqipëria të goditura drejtpërdrejt për shkak të sanksioneve ndaj Moskës

Sanksionet perëndimore dhe ato të Shteteve të Bashkuara të Amerikës tanimë po japin efektin e tyre. Agjencia “Reuters” i ka kushtuar një artikull të veçantë turzimit kryesisht në brigjet e Adriatikut.

Ajo raporton se sanksionet po i mbajnë turistët larg destinacioneveqë për shumë vite kanë qeënë ndër më të preferuarat. Ekonomitë e Kroacisë, Malit të Zi dhe Shqipërisë, anëtarë të NATO-s i janë bashkuar sanksioneve ndërkombëtare kundër Rusisë, por kjo gjë po i jep një goditje turizmit.

Sanksionet përfshijnë ndalimin e fluturimeve komerciale nga Rusia, bllokimin e bankave ruse nga sistemet ndërkombëtare të pagesave duke e bërë më të vështirë për rusët aksesin e parave jashtë vendit dhe sekuestrimin e disa pasurive të paluajtshme dhe jahteve.

Në Shqipëri, ku sektori i turizmit është në ankth për t’u rikuperuar nga efektet e pandemisë, shpresat ishin të mëdha se viti 2022 do të ishte një vit bumi. Por lufta në Ukrainë po kërcënon ta prishë këtë kanë bërë të ditur hotelierët.

“Mungesa e turistëve ukrainas dhe rusë ndihet pasi janë klientë që vijnë më herët, rreth fundit të Marsit ose Prillit, deri në fund të Shtatorit dhe Tetorit, sepse përshtaten shumë mirë me klimën. Kemi pasur shumë rezervime nga ana e tyre, por janë anuluar për shkak të luftës, por ne do të përshtatemi me klientelën që do të na vijë”, tha hotelieri Aurenc Hima.

Kliton Gerxhani, presidenti i Shoqatës së Operatorëve Turistikë dhe Agjencive Turistike tha se lufta në Ukrainë po largon edhe pushuesit nga vendet baltike dhe skandinave.

“Ndikimi më i madh është se si kjo luftë po prek vendet e tjera fqinje. Ato vende që sjellin më shumë turistë në Shqipëri si vendet baltike, vendet skandinave, apo të tjera si Polonia që është kontribuesi më i madh i turizmit në Shqipëri apo Gjermania, për shembull. Ka hezitime që vijnë nga këto vende për të bërë rezervime hotelesh në Shqipëri. Ndoshta turistët e atyre vendeve do të presin deri në minutën e fundit nëse duan të vijnë apo jo, varësisht nga lufta, sepse lufta është ende në vazhdim”, u shpreh presidenti i Shoqatës së Operatorëve Turistikë dhe Agjencive Turistike, Kliton Gerxhani.

Ana Tripkovic Markoviç, nga Organizata Kombëtare e Turizmit të Malit të Zi, është shprehur se rusët dhe ukrainasit zakonisht përbëjnë rreth një të pestën e atyre që vizitojnë vendin gjatë verës.

“Tregjet ruse dhe ukrainase konsiderohen së bashku, ato përbëjnë afërsisht 20% të trafikut tonë turistik. Kur bëhet fjalë për këtë sezon, të dhënat nga Këshilli Europian i Udhëtimit tregojnë se kërkesa për Europën Lindore është afërsisht njësoj si në vitet e kaluara”.

Banka Botërore muajin e kaluar uli parashikimin e rritjes ekonomike për Ballkanin Perëndimor. Gjashtë ekonomitë u rritën 7.4% në 2021 pas një tkurrjeje prej 3.2% në 2020.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share