Vendet e Bashkimit Europian ranë dakord të kërkojnë një opsion ligjor për të ndaluar kompanitë ruse të dërgojnë gaz natyror të lëngshëm në këto shtete, duke parandaluar firmat ruse të rezervojnë kapacitetin e infrastrukturës.
Ministrat e Energjisë të vendeve të BE-së propozuan që rregullat e reja të tregut të gazit duhet të përfshijnë opsionin që qeveritë të ndalojnë përkohësisht eksportuesit e gazit rus dhe bjellorus nga ofertat e para për kapacitetin në infrastrukturën e nevojshme për të shpërndarë gazin e lëngshëm në Europë.
Propozimi është pjesë e pozicionit negociues të vendeve mbi rregullat e reja të tregut të gazit të BE-së, që duhet të negociohet me Parlamentin Europian, një proces që mund të zgjasë me muaj.
Blloku prej 27 vendesh është zotuar të heqë dorë plotësisht nga gazi rus në përgjigje të pushtimit të Ukrainës nga Moska. Importet europiane të gazit nga Rusia janë ulur që nga pushtimi, por importet e gazit të lëngshëm janë rritur.
Sipas zyrtarëve, propozimi do të shmangte një situatë ku infrastruktura e gazit të lëngshëm e krijuar për të ndihmuar vendet të shkëmbejnë gazin rus me alternativa, në fakt po përdorej për të importuar më shumë nga Moska.
Nëse miratohet, propozimi do t’u ofronte vendeve anëtare një rrugë për të ndaluar importet ruse të gazit të lëngshëm pa përdorur sanksione, që politikisht janë më të vështira për t’u ndërmarrë sepse kanë nevojë për miratim unanim nga të 27 vendet anëtare të BE-së.
Hungaria tha se nuk mund të mbështesë pozicionin negociues për ligjin e ri të tregut të gazit të BE-së, i cili përfshin gjithashtu një sërë rregullash për të integruar më shumë gaze me karbon të ulët.
/SCAN